Keni planifikuar pushime? Si do të jetë moti javën që vjen

Moti i paqëndrueshëm ka shoqëruar qershorin, por duket se do të ketë një përmirësim për javën që vjen.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, java që vjen do të na sjellë temperatura relativisht të larta, lajm i mirë për të gjithë ata që kanë plane për në plazh, por kujdes, këto temperatura vijnë gjatë ditës së enjte dhe të premte.

Ndërkohë paqëndrueshmëria e motit do të vijoj për ditët e hënë, martë dhe e mërkurë.

Gjatë pjesës së parë të ditës moti pritet të jetë me kthjellime dhe vranësira kalimtare shoqëruar me reshje shiu të dobëta gjatë ultësirës perëndimore.

Nga orët e mesditës deri ato të pasdites, në relievet kodrinore dhe malore në lindje të territorit (por edhe një pjesë e ultësirës perëndimore) do të ketë zhvillim të menjëhershëm të vranësirave deri të dendura. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet deri mesatar, por në zona të caktuara në formën e rrebesheve dhe breshërit deri të lartë.

Java mbyllet me ditën e enjte dhe të premte me mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Vranësirat kalimtare do të jenë përgjatë relieveve të larta malore shoqëruar me reshje shiu të dobëta.


Shtuar 21.06.2020 15:00