Frika nga virusi vdekjeprurës, Kosova ndalon importin nga Kina

Kosova ka ndaluar mallrat që dyshohet se mund të bartin koronavirusin e ri, Covid-19, e që e kanë origjinën nga Kina. Njoftimi vjen nga zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Lamir Thaçi, zëdhënës i kësaj agjencie i tha Radios Evropa e Lirë se produktet e vlerësuara si të rrezikshme për bartjen e virusit, janë ndaluar të importohen. Ai thotë se produktet e ndaluara nga Kina janë kryesisht me origjinë shtazore.

Edhe në doganën e Kosovës, zëdhënësi Adriatik Stavileci sqaron se blerjet online nga Kina, ku e ka origjinën Covid-19, kanë pësuar rënie. Sipas tij, nëse bëhet krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo rënie llogaritet në masën deri në 35 për qind.

Sakaq, mjaft prej qytetarëve të pyetur nga REL e që kanë blerë prej kohësh online nga Kina, pohojnë se që prej shfaqjes së virusit, i kanë ndërprerë porositë e tyre në internet. Përveç Kinës, ku edhe ishte burimi i virusit të ri, edhe në rreth 30 shtete tjera janë regjistruar më shumë se 500 raste të infeksionit.

Katër vetë po ashtu kanë vdekur jashtë saj: në Francë, Hong Kong, Filipine dhe Japoni. Në Kosovë, nuk është paraqitur ende asnjë rast me këtë virus.


Shtuar 23.02.2020 16:15