Ekzekutimi i biznesmenëve në Laç, cili ishte roli i djalit të oficerit të policisë

Eduart Lamaj është autori kryesor i vrasjes së biznesmenit Bujar Lika dhe Paulin Gjergjit në Laç, e kreu krimin duke i marrë mjetin një mikun të tij, por i hoqi targat për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë.

Në sajë edhe të dëshmisë së tij, pasditen e së martës, u sekuestrua pikërisht kjo makinë tip Golf 5 e përdorur ditën e vrasjes. Pas ngjarjes, ai i kishte mbivendosur sërish targat, ndërsa mjetin e kishte pakuar në një rrugicë në zonën e “Don Boskos”, në kryeqytet.

Mësohet se makina ishte në pronësi të Shpëtim Bodurit. Ky i fundit u mor në pyetje nga hetuesit, duke deklaruar se mjetin ja kishte lënë në përdorim mikut të tij, Eduartit.

Për të zbardhur edhe më shumë rrethanat e kësaj ngjarjeje, blutë e morën Lamajn sërish në pyetje. 30 vjeçari nga Laçi u dha hetuesve emrat e 3 personave të tjerë me të cilët bashkëpunoi në krim.

Policia ka shpallur në kërkim Ilir Xhepaj, i njohur ndryshe edhe me mbiemrin Likaj 33 vjeç, Elson Alija apo i njohur me identitetin e dytë si Oltion Vlashi 31 vjeç, si dhe Klaudio Perkola, 21 vjeç.

Sipas abc news Klaudio Perkola është djali i një oficeri në Policinë e Shtetit.

Emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare është edhe Ilir Xhepaj. Ai rezultonte në kërkim edhe për të tjetër ngjarje. Më 15 Maj të këtij viti, Xhepaj plagosi biznesmenin Zef Marku në Laç, pas një konflikti mes tyre.

Xhepaj, Alija dhe Perkola i kanë dhënë ndihmë Eduard Lamajt teksa ai u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Likën, brenda hotelit në pronësi të Ali Allamanin.

Por për shkak se dëshmia e të arrestuarit Lamaj është e pabesueshme për hetuesit, këta të fundit kanë tentuar ta marrin sërish në pyetje me argumentin për ta bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Por ndërkohë që 30 vjeçari mohon të tregojë porositësit e krimit, apo të pohojë për ngjarje të tjera kriminale që ai ka dijeni, e humb marrjen e këtij statusi. I riu nga Laçi pretendon se nuk i njihte viktimat dhe se sherrin e kishte pasur me pronarin e hotelin për një borxh të pashlyer për çështje droge.

Eduard Lamaj, i njohur ndryshe edhe me emrin Leandro Simoni, u arrestua nga policia, pasi përgjigja e ADN-së së njollës së gjakut në vendngjarje përputhej me të tijat. Bashkë me të policia arrestoi edhe dy mjekët që i mjekuan atij plagën në këmbë, me akuzën e e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Shtuar 24.06.2020 15:04