Ish deputeti i PD Genc Pollo ka reaguar pas dhunimit të makinës së analistit të njohur Fatos Lubonja.
Pollo shprehet se “Fatos Lubonja me jetën e tij të vështirë është simbol për shumëçka. Por vitet e fundit ai është ndër pak kryezërat jopartiakë e të besueshëm që denoncojnë parreshtur kapjen e shtetit dhe ofiqarët banditë.
Prandaj sulmi i përsëritur kundër tij, duke i shkatërruar sërish veturën, është vetëm një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën”.
Ne vijim te postimit te tij, Pollo thekson se “agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për keto agresione.
Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin. Por gjithkush mund të mbrojë Fatos Lubonjën duke thënë zëlartë si ai të vërtetat e kohës”.
Kjo është hera e dytë që mjeti në pronësi të analitit dhunohet. Hera e parë përkon me datën 1 korrik të vitit që lamë pas.