Arrestohet ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa niset drejt Hagës

Salih Mustafa, ish-shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitin e quajtur BIA, është arrestuar sot. Siç raportojnë mediat, ai është arrestuar nga EULEX-i, në mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij.

Familjarët e kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës. Nuk dihet akoma zyrtarisht arsyeja pse u arrestua Mustafa.

Po ashtu, mediat vendase raportojnë se lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, që tha se ende nuk ka informacion zyrtar.

“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Shala për klankosova.

Mustafa u intervistua nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.


Shtuar 24.09.2020 10:32