Aktorët “shpërthejnë” në vaj: Ishim në mes të punës kur mësuam për Xhevdetin, ngrimë

Një humbje e madhe në kinematografinë shqiptare la pas ndarja nga jeta e aktorit të mirënjohur shqiptar Xhevdet Ferri. Artistët shqiptarë të shokuar nga lajmit japin mesazhet e ndjera dhe ngushëlluese për mikun dhe kolegun e tyre.

Reshat Arbana: Kjo është jeta, nuk ke ça bën. Do të mësohemi me këto gjëra. Në një periudhë të shkurtër u ndanë nga kjo jetë, Fatos Baxhaku, Gjergj Xhuvani dhe tani së fundmi edhe Xhevdet Ferri. Ngushëllime nga shpirti, të rrojnë e ta kujtojnë. Nuk ka fjalë. Në këto kohë nuk kemi fjalë sepse është tronditëse

Rajmonda Bulku: Ne jemi duke punuar, jemi në skenë duke vënë një shfaqje, dhe na lajmëruam. U shokuam, jo se nuk e prisnim me thënë të drejtën por lajm i fundit i tmerrshëm. Më vjen shumë keq, nuk e di, mendoja se mund të ndodhte ndonjë mrekulli kur ai është bërë gjysh. Mendoja se ajo qënie që do të vinte në jetë mund ta tjetërsonte. Por jetoi shumë pak si gjysh i lumtur.

Njeriu gjithmonë shpreson prandaj i thoja që do të vijë një atmosferë tjetër në shtëpinë tuaj me lindjen e bebit. Por nuk di çfarë të them, njeriu shpreson deri në fund. Por tani na ra kështu papritur. Ishte një student i shkëlqyer, serioz, një aktor që premtonte shumë, shumë i ditur, fjalët më të mira do të thoja. Me një familje, me vajzën, bashkëshorten…Më vjen keq që ju iku dikush shumë i dashur, shumë i shtrenjtë, shoku i tyre. Ishim në mes të punës dhe ngelëm, ngrimë, kur e morëm lajmin”

Viktor Zhusti: O Zot, është e paimagjinueshme. Më mori dikush në telefon më tha, a mund të na thoni dy fjalë për Xhevdetin? Po pse çfarë ka? i thashë. Ka ndërruar jetë. O zot, nuk e di çfarë të them. Është gjëja më tronditëse që kam patur në këtë periudhë. Dua ti shpreh ngushëllimet gruas, vajzës, të gjithë njerëzve që kanë punuar bashkë me të.

Ndriçim Xhepa: Mund të jem personi i fundit nga njerëzit e artit që e kam parë mbrëmë. Duke përjashtuar familjarët. Unë sa e mora lajmin që ishte shtruar në spital, kam shkuar aty. Bënë një lloj tolerance ata mjekët. Ndoshta bëra mirë, që shkova për ta parë. Nuk e di….sepse ishte në gjendje shumë të rëndë.

Ishte me frymëmarrje me aparat. Kam komunikuar pastak me të shoqen, nëse mund të bëhej ndonjë përpjekje. Por fundi ishte shumë i shpejtë, në 24 orë. Shumë e dhimbshme sepse ishim shumë miq bashkë, ne përkojmë edhe si kohë, si moshë kemi filluar në të njëjtën moshë bashkë. Kontributi më i madh i Xhodës ishte në një mori filmash që ka në kinematografi. Ishim bashkë te “Dasma e Sakos” te “Delegacioni”. Ishte vërtet një djalë i zgjuar, me shumë bagazh, një aktor me shumë shije.


Shtuar 17.01.2020 08:04