OVL-UÇK reagon ndaj publikimit të videos nga gazetari maqedonas

Gazetari maqedonas, Zoran Bozhinovski, ka ndarë një video në Facebook, ku shihen disa persona në një veturë.

Sipas gazetarit, ata janë Isa Beu, Bekim Dibrani, Fevzi Jakupi, Kadri Krasniqi dhe Qani Rexhepi (vëllai i Sulejman Rexhepit), e për këtë të fundit thotë se e ka sharë komandantin Adem Jashari, duke thënë që askush nuk i tha atij të vritet për Kosovën.

Sipas Bozhinovskit, videoja është regjistruar rrugës përderisa ata shkonin për të marrë një mirënjohje nga OVL UÇK e Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i OVL UÇK-së, ku thuhet se ajo video nuk ka të bëjë fare me ta dhe se personat të cilët shihen në video nuk kanë marrë asnjëherë dekoratë.

“Pas publikimit të një video incizimi të një gazetari sllavo-maqedone pro rus, OVL-UÇK-së njofton familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe mbarë opinionin, se personat e përfshirë në video incizimin e publikuar nuk kanë asnjë lidhje me OVL-UÇK, dhe të njëjtit asnjëherë nuk kanë marrë mirënjohje e as dekorate nga OVL-UÇK-së”, thuhet në këtë reagim.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë së i dënojnë ashpër fyerjet ndaj komandantit Adem Jashari, dhe ka ftuar organet kompetente që të merren me zbardhjen e rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.

“Dënojmë ashpër ofendimin ndaj figurës se Komandantit Legjendar Adem Jashari, njëherit ftojmë organet kompetente për zbardhjen e rastit dhe marrjen e të gjitha masave juridike që personat në fjalë të dalin para drejtësisë.

Të gjitha informatat dhe të dhënat që posedon OVL-UÇK-së do t’i dërgojë prokurorisë se Republikës së Kosovës, për rastin në fjalë OVL-UÇK-së fton Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë e Republikës së Kosovës, zbardhjen e rastit dhe marrjen e të gjitha masave juridike që personi i përfshirë me ofendim ndaj Komandantit Legjendar Adem Jashari, të marrë dënimin e merituar sipas dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, tha Gucati.


Shtuar 10.05.2020 16:36