Nëna përlotet pranë varrit së vajzës 22 vjeçare që e masakruan në Reçak

Nëna e Hanumshahe Mehmetit nuk arriti dot t’i mbaj lotët kur iu afrua varrit të së bijës 22 vjeçare që u masakrua më 15 janar 1999, në Reçak, shkruan IndeksOnline.

Fytyrën e mbuluar me rrudha e sytë të mbushur me lotë të dhimbjes, nëna e Hanumshahes ulur pranë varrit të saj kujton ditën e tmerrshme të asaj dite.

Hanumshe Mehmeti ishte lindur më 10 tetor 1977 ndërsa vdiq më 1999.

Por 15 janari i 99-tës kësaj gruaje të përvuajtur i mori jetën edhe burrit të saj, Bajram Mehmetit.

Në mendime të thella e me zemër të mbushur me dhimbje, edhe kjo nënë kosovare pret që drejtësia të bjerë në vend dhe institucionet vendore të dënojnë ata që urdhëruan të kryhet kjo masakër.

Sot bëhen 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.


Shtuar 15.01.2020 09:47