Grenell kundër analistit, reagon për ndarjen e Kosovës

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, hodhi poshtë pohimet se në takimin e së hënës në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar për një marrëveshje mbi idenë e ndarjes së Kosovës. Analisti Edward Josepf, profesor në Universitetin John Hopkins, i tha Zëri të Amerikës në gjuhën serbe se takimi ishte mbajtur për të diskutuar pikërisht këtë çështje, ndarjen e Kosovës.

Grenell shkroi në Twitter se ky është “lajm i rremë. “Kjo nuk është diskutuar kurrë në praninë time”, u shpreh ai. Pas kësaj reagoi edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit “është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me lehtësi krijojnë planet e tyre të trilluara (shkëmbim të territoreve, ndarje, autonomi) dhe ua veshin atyre që janë duke u përpjekur të arrijnë një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës e Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk do të ndihmojnë procesi”, ka shkruar Thaci.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, u takun në Shtëpinë e Bardhë në 2 mars në një periudhë kur zyrtarët amerikanë po I nxisin të dyja palët që të krijojnë kushte për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje politike. Në këtë kuadër ata po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, që çuan në pezullimin e bisedimeve, meqë Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave. Ambasadori Grenell, tha të enjten se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i është bërë e qartë se mbajtja e tarifave në mënyrë të pjesshme dëmton ekonominë dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të shpenzojnë ndihmat për Kosovën nëse udhëheqësit e saj dëmtojnë qytetarët e tyre në këtë mënyrë.


Shtuar 8.03.2020 13:28