Grenell kërkon nga qeveria Kurti të heqë taksën për mallrat nga Serbia

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka bërë thirrje Qeverisë së re në Kosovë që të heq taksën për mallrat serbe.

“Presim që taksa të hiqet menjëherë”, ka porositur Grenell, raporton Associated Press, shkruanTelegrafi.

Grenell që njëherit është ambasador i SHBA-ve në Gjermani, ka theksuar se “SHBA-të kanë bërë ua kanë bërë të qartë liderëve të partive politike në Kosovë, që heqja e taksës është në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj”.

Siç raporton AP, Grenell gjatë muajit të kaluar ka ndërmjetësuar marrëveshjen për rikthimin e linjës hekurudhore dhe asaj ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Jemi duke bërë një përparim historik. Shumë shpejtë do të ketë lajme të reja, sepse të dy palët dëshirojnë të ecin tutje. Këta hapa do t’i paraprijnë një jetë më të mirë për popullin dhe rajonin”, pati deklaruar Grenell.

Kujtojmë që Kuvendi i Kosovës ka votuar mbrëmë qeverinë e re të cilën do ta udhëheq Albin Kurti.


Shtuar 4.02.2020 10:56