Dy shtëpi me vlerë rreth 500 mijë euro! Daut Haradinaj merr borxh tek familja e gruas

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar deklarimet e pasurisë të zyrtarëve që kanë poste publike.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi prej 250 metra katror në vlerë prej 195 mijë eurove, që e ka blerë në vitin 2008 me anë të kredisë dhe huazimeve.

Po ashtu, Haradinaj ka deklaruar se ka një shtëpi tjetër në pronësi, prej 360 metra katrorë në vlerë prej 200 mijë eurove dhe se e ka blerë me të hyra personale në vitin 2016.Sipas deklarimit, Haradinaj ka para të kursyera që nga viti 2008 në vlerë prej 10 mijë eurove.

Ka një veturë që e ka blerë në vitin 2015 me anë të kredisë, që paguan 435 euro në muaj. Dhe gjësende të ndryshme personale që i ka marrë dhuratë, në vlerë prej 17 mijë e 500 euro.Për dallim nga viti i kaluar, kur Haradinaj kishte deklaruar se ka para të gatshme në bankë prej 43 mijë eurove, këtë vit ai ka deklaruar se ka 53 mijë e 677 euro.

Ndërsa në emër të bashkëshortes ka deklaruar se ka para të gatshme në vlerë prej 6,656 euro.Ndërsa sa i përket detyrimeve financiare, Haradinaj ka deklaruar se i ka detyrim ‘miqve’ të tij, familjes Muqaj, në vlerë prej 30 mijë eurove.

Daut Haradinaj merr pagë vjetore, sipas deklarimit, 13,756 euro nga Kuvendi i Kosovës dhe përfiton 27 mijë euro, nga lëshimi me qera i shtëpisë.Ndërsa bashkëshortja e tij, merr pagë nga ‘Altro’ 7,696 euro dhe nga ‘Spar Kosova’ 12 mijë euro. /kallxo


Shtuar 5.08.2020 19:08