Albin Kurti mesazh qytetarëve: Kjo është situata më serioze që pas luftës në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i është drejtuar popullit të Kosovës me anë të një video-mesazhi duke iu kërkuar durim dhe respekt ndaj masave për koronavirusin.

“Kjo nuk do të thotë që kjo nuk është situatë serioze, në fakt është situata më serioze që kemi pasur që nga lufta e fundit para më shumë se dy dekada. Sonte dua të flas me ju si kryeministër i vendit, që ju më keni zgjedhur me votat e juaja. Si popull jemi testuar shpesh herë se sa të fortë jemi përballë armiqve të dukshëm të padukshëm, por edhe sa të unifikuar jemi përpara sfidave të përbashkëta”, thekson Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se virusi Korona është duke testuar shtetin dhe shoqërinë tonë, por edhe gjithë njerëzimin.

“Secili nga ne, të gjitha së bashku duhet të përgatitemi për atë që na pret javëve dhe ditëve në vazhdim. Është e vërtetë që jeta e secilit prej nesh ka ndryshuar, por po bëjmë gjithçka që të mbrojmë më të dashurit tanë. S’ka dyshim që ky virus ka prekur jo vetëm shëndetin tonë trupor, por edhe shëndetin e ekonomisë sonë. Në botë tashmë ka një ngadalësim ekonomik. Për shkak të virusi korona, prandaj duhet të përgatitemi si shoqëri për atë që po vjen. Mënyra më e mirë për t’u përballur me këtë krizë është kur ne marrim përgjegjësitë si që na takojnë si individë, të kujdesemi për veten, njëri-tjetrin dhe shoqërinë”, shtoi Kurti.

Ai tha se qëllimi është të ndalohet përhapja e virusit, sepse kështu ndihmohen spitalet.

“Dhe punëtorët shëndetësorë që të shpëtojnë jetë. Izolimi është masa e vetme që bota ka për virusin, në mungesë të vaksinës. Edhe pse po jetojmë të ndarë, së brendshmi dhe së jashtmi, kurrë më parë nuk kemi qenë kaq të vëmendshëm ndaj vuajtjes së tjetrit, ndaj vuajtjes tjetër kund. Të gjithë kemi familjarë edhe jashtë vendit, apo në qytete e fshatra më larg. Kësokohe nuk na lejohet të udhëtojmë, e na merr malli më shumë.Por mbi të gjitha kjo po ndodhë sepse sot vuajtja e të gjithëve në gjithë botën, është e përbashkët, qofshim të pasur a të varfër, si individë apo si shtet”, theksoi Kurti.

Kurti tha se kjo pandemi e cila na solli rrezik të shtrirë në kohë, po na mëson ta ushtrojmë sërish ndjenjën e të qenit bashkë.

“Fatmirësisht, ne i kemi marrë masat kufizuese shumë më parë se vendet që sot po pëson më së shumti nga ky virus. Punën e organizuam mirë, përmes ministrive përkatëse, institucioneve qeveritare e shkencore dhe komisioneve që ndërtuam posaçërisht për këtë pandemi. Ne e pamë shpërndarjen dhe menaxhimin e situatës në kohën e duhur dhe kjo u harmonizua me rrallimin ose ndalimin e qarkullimit të njerëzve nëpër kufij. Prandaj gjendja është nën kontroll dhe sot na shtohet edhe besimi te zhvillimi i mjekësisë”, tha Kurti.

Ai shtoi se nuk duhet treguar moskokëçarës dhe se duhet ta bindim veten dhe secilin familjar që të rrijë në shtëpi, me përjashtim të rasteve ku është dalja medoemos.

“Në këtë izolim kemi fatin e mirë, që epoka jonë është epokë e teknologjive të informacionit. Kështu që mund të informohemi në çdo moment. Madje mund të komunikojmë e të mos jemi kurrë vetëm”, shtoi Kurti.


Shtuar 29.03.2020 20:27