“Refugjatët e TikTok” gjejnë strehë të re – Media sociale kineze, RedNote shkarkohet nga rreth 700,000 amerikanë brenda 1 jave

Nga Lidion Kulla/ Scan TV

Lajmet që qeveria amerikane apo edhe disa qeveri të tjera, duke përfshirë atë shqiptare, të ndalojnë përdorimin e TikTok në vendet e tyre, ka bërë që shumë përdorues të rrjetit social të videove të shkurtra të shkojnë në një tjetër aplikacion, po kinez, të quajtur RedNote. Kompania jo shumë e njohur ka nxituar të përfitojë nga fluksi i papritur, ndërsa ecën në një linjë delikate të përmbajtjes së moderuar në gjuhën angleze. Në një bisedë të drejtpërdrejtë të quajtur “Refugjatët e TikTok” në RedNote, më shumë se 50,000 përdorues amerikanë dhe kinezë iu bashkuan bashkëbisedimit.

Përdoruesit veteranë kinezë, me një ndjenjë hutimi nga fluksi i madh, mirëpritën homologët e tyre amerikanë dhe shkëmbyen ide për tema si ushqimi dhe papunësia e të rinjve.

Sipas Reuters, bashkëbisedime të tilla kulturore po zhvilloheshin në shumë grupe në RedNote, i njohur në Kinë si Xiaohongshu, ndërsa aplikacioni u ngjit në krye të renditjes së shkarkimeve në SHBA. Popullariteti i RedNote u nxit nga përdoruesit amerikanë të mediave sociale që kërkonin një alternativë ndaj TikTok, në pronësi të ByteDance, disa ditë përpara se gjykata në SHBA të merrte një vendim për ndalimin e tij.

Për shkak të këtyre pasigurive, përdoruesit po e përqafojnë platformën e re. “Ndërsa jam ulur këtu dhe regjistroj këtë video me të gjithë që më shikojnë, është në rregull, sepse unë jam një nga “refugjatët e TikTok” dhe jam mësuar me këtë”, tha një përdoruese e quajtur Crystal, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj, në një postim në RedNote.

Shumë individë po e trajtojnë kalimin e mundshëm në platforma të tjera, si një formë proteste. Një influencuese e TikTok, e quajtur Gëenna Laithland e sheh zhvendosjen drejt RedNote si një mënyrë që amerikanët të shprehin pakënaqësinë e tyre.

“Ne, si publik amerikan, ndihemi shumë të heshtur dhe të injoruar, sepse pikërisht këtu është mundësia që të themi: “Jo, nuk na pëlqen kjo! Ju nuk ka dëgjuat!”, tha ajo. Megjithatë, Laithland shprehu skepticizëm në lidhje me qendrueshmërinë afatgjatë të RedNote.

Opinioni publik duket i ndarë për ndalimin e mundshëm të TikTok. Disa përdorues, si banorja e Nju Jorkut, Jasmine McBride, e mirëpresin një ndalim të plotë të mediave sociale, duke argumentuar se platforma si TikTok kanë çuar në një “kalbje të trurit”. Të tjerë, si kantautorja kanadeze Jade LeMac, kanë ende dyshime për ndalimin e mundshëm dhe planifikojnë të vazhdojnë punën e tyre krijuese në platforma të tjera nëse do të jetë e nevojshme.

Në terma afatshkurtër, çështja e privatësisë së të dhënave dhe keqpërdorimi i mundshëm i të dhënave të përdoruesve nga qeveritë e huaja hyjnë gjithashtu në lojë. Ambika Gaur, një banore 22-vjeçare e Nju Jorkut, shprehet: “Mendoj se brezi im ka krijuar idenë se kemi një agjent kinez në anën tjetër të telefonit. Por, unë nuk mendoj shumë për këtë kur jam duke përdorur aplikacionin, sepse ka shumë gjëra në internet dhe ndihemi sikur kemi një prezencë dixhitale”.

Në vetëm dy ditë, më shumë se 700,000 përdorues të rinj iu bashkuan aplikacionit RedNote apo Xiaohongshu, siç njihet në Kinë, tha një person i afërt me kompaninë për Reuters. Shkarkimet e RedNote në SHBA u rritën më shumë se 200%, gjatë javës së dytë të janarit, krahasuar me një vit më parë, sipas vlerësimeve nga firma kërkimore e të dhënave të aplikacioneve Sensor Toëer.

Aplikacioni i dytë më i shkarkuar në listën e App Store të Apple, Lemon8, një tjetër aplikacion i mediave sociale në pronësi të ByteDance, përjetoi një rritje të ngjashme muajin e kaluar, me shkarkime që u rritën me 190% në dhjetor në rreth 3.4 milionë shkarkime.

Fluksi duket se e kapi RedNote në befasi, me dy burime të njohura me kompaninë që i thanë Reuters se po përpiqeshin të gjenin mënyra për të moderuar përmbajtjen në gjuhën angleze dhe për të ndërtuar mjete përkthimi.

RedNote ka vetëm një version të aplikacionit të tij, dhe nuk e ka ndarë në versionin që përdoret në Kinë dhe atë që përdoret në vendet e huaja, një gjë e rrallë në mesin e aplikacioneve sociale kineze që i nënshtrohen rregullave vendase.

Megjithatë, kompania është e prirur ta zgjerojë këtë popullaritet në rritje, pasi drejtuesit e shohin atë si një rrugë të mundshme për të arritur akses global të ngjashëm me atë të TikTok.

RedNote, një startup i mbështetur me kapital sipas modelit “join venture” dhe me një vlerësim në treg prej 17 miliardë dollarësh, i lejon përdoruesit ti kurojnë fotot, videot dhe tekstet, që dokumentojnë jetën e tyre. RedNote cilësohet si një kandidat i mundshëm për të realizuar Ofertën Fillestare për Publikun në Kinë.

Në vitet e fundit, aplikacioni është bërë një motor kërkimi “de facto” për mbi 300 milionë përdoruesit e tij që kërkojnë këshilla udhëtimi, kremra kundër plakjes dhe rekomandime për restorante.

Çmimet e aksioneve të disa kompanive të listuara në Kinë që kryejnë biznese me RedNote, si Hangzhou Onechance Tech Corp, u rritën deri në 20% të martën, pas publikimit të lajmit për rritjen e shkarkimeve të aplikacionit.

Rritja e numrit të përdoruesve në SHBA vjen përpara vendimit të 19 janarit, që ByteDance të shesë TikTok ose të përballet me një ndalim në SHBA për arsye sigurie kombëtare. TikTok aktualisht përdoret nga rreth 170 milionë amerikanë, afërsisht gjysma e popullsisë së vendit, dhe është jashtëzakonisht i popullarizuar mes të rinjve dhe reklamuesve që kërkojnë të promovojnë produkte apo shërbime.


Shtuar 19.01.2025 18:41