A është e rrezikshme për mjetet ajrore, teknologjia 5G?

Kompanitë amerikane të telekomit dhe kompanitë ajrore për javë të tëra po luftojnë mbi ndikimin e mundshëm të shërbimeve të gjeneratës së re të komunikimeve (5G) në aeroplanë, që është e kundërta e asaj që po ndodh me shtrirjen e 5G-së në vendet tjetra, teksa kjo teknologji po përdoret pa shfaqur shqetësime të reja të sigurisë.

Më poshtë mund të mësoni lidhur me mosmarrëveshjen, pasi më 3 janar, kompanitë Verizon Communications dhe AT&T u pajtuan që të shtynin për dy javë përdorimin e kësaj teknologjie, duke u tërhequr nga një bllokim që kërcënonte të shkaktonte ndërprerje të fluturimeve. Marrëveshja premton që të shmangë shumicën, por jo të gjitha ndërprerjet e mundshme në udhëtimet ajrore nga vendosja e teknologjisë 5G.

Cili është problemi?

Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit 2021 nxorën në ankand për rreth 80 miliardë dollarë frekuencat e intervalit të mesëm për kompanitë e telefonisë mobile në intervalin 3.7-3.98 GHz (giga herz) në spektër, i njohur si C-Band.

Grupet e industrisë së aviacionit amerikan, në muajt e fundit, ngritën shqetësimet dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), në nëntorin e vitit të kaluar lëshoi një paralajmërim zyrtar lidhur me rrezikun e ndërhyrjes me pajisjet e fluturimit.

Në industrinë e linjave ajrore, pajisjet që masin lartësinë, operojnë me intervalin 4.2-4.4 GHz dhe ka shqetësime se nuk ka hapësirë të mjaftueshme ndërmjet frekuencave që të përdoren nga kompanitë e telekomit.

Kompanitë janë përballur me presion nga Shtëpia e Bardhë, kompanitë ajrore dhe shoqatat e aviacionit, që kanë kërkuar vendosjen e teknologjisë pas shqetësimeve se 5G mund të ndërhyjë në pajisjet e ndjeshme elektronike të avionëve, siç janë pajisjet për matjen e lartësisë.

Pse kjo është e rëndësishme për aviacionin?

Pajisjet që masin lartësinë ndihmojnë në uljen e rrezikut të aksidenteve apo përplasjeve mes avionëve, pasi ato japin lexime të sakta të afërsisë së një avioni me tokën. Këto të dhëna po ashtu përdoren për të lehtësuar aterrimet e automatizuara dhe për të shmangur rrymat e rrezikshme ajrore.

Çfarë dallimi bën frekuenca?

Thënë shkurt, sa më e lartë të jetë frekuenca në spektër, aq më i shpejtë është shërbimi. Pra, në mënyrë që të marrin vlerën e plotë nga 5G, operatorët duan që të operojnë në frekuencat më të larta.

Disa nga spektri C-Band, që janë shitur në ankand në SHBA, ishin përdorur për radio satelitore, por kalimi në 5G nënkupton se do të ketë shumë më tepër trafik.

A është ky problem edhe diku tjetër?

Pas disa vitesh diskutimesh ndërkombëtare, më 2019 Bashkimi Evropian vendosi standarde për frekuencat e intervalit të mesëm 5G, në intervalin 3.4-3.8 GHz.

Ajo janë nxjerrë në ankand dhe janë vendosur në përdorim në shumicën e 27 shteteve të bllokut evropian, pa asnjë problem.

Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA), që mbikëqyrë 31 shtete, tha më 17 dhjetor 2021 se diskutimi i fundit ishte specifik për hapësirën ajrore të SHBA-së.

“Në këtë fazë, asnjë ndërhyrje e pasiguritë nuk është identifikuar në Evropë”, tha Agjencia.

AT&T dhe Verizon janë pajtuar që të krijojnë zona ku do të ndalohet përdorimi i 5G në shumë aeroporte amerikane, njëjtë sikurse ishte vepruar në Francë për gjashtë muaj.

Zyrtarët e FFA-së kanë theksuar se spektri i përdorur nga Franca (3.6-3.8 GHz) është shumë larg spektrit (4.2-4.4 GHz) që përdoret nga pajisjet për matjen e lartësisë në SHBA dhe se fuqia e 5G-së që përdoret në Francë gjithashtu është më e ulët sesa niveli i autorizuar në Shtetet e Bashkuara.

Por, Verzion tha se nuk do të përdorë spektër që është afër spektrit që përdorë Franca tash e disa vjet.
Në Korenë e Jugut, frekuenca e komunikimit të telefonave 5G është 3.42-3.7GHz dhe nuk ka pasur asnjë raportim për ndërhyrje në valë të radiove që nga komercializimi i 5G në prill të vitit 2019.

Aktualisht stacionet për komunikim me telefon që kanë teknologjinë 5G funksionojnë pranë aeroporteve dhe nuk ka pasur raportime se një gjë e tillë ka shkaktuar probleme.

CTIA, një grup amerikan i tregtisë për shpërndarjen e valëve, në një dokument dërguar Komisionit Federal të Komunikimeve tha se “transportuesit në 40 shtete në Evropë dhe Azi tani përdorin C-Band për 5G dhe nuk kanë raportuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje në pajisjet që matin lartësinë që operojnë me të njëjtat intervale të frekuencave 4.2-4.4 GHz, interval i përcaktuar ndërkombëtarisht”.

Ky grup po ashtu shtoi se “çdo ditë, avionët amerikanë transportojnë mijëra shtetas amerikanë, aterrojnë në këto shtete pa asnjë problem dhe pa shqetësime nga FAA apo rregullatorët e huaj të aviacionit. Ligjet e fizikës nuk janë të ndryshme në SHBA, Evropë apo Azi”.

Por, kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se pa një marrëveshje, masat paraprake të sigurisë mund të bëjnë që fluturimet ditore të bien për 4 për qind. Një grup i linjave ajrore tha se kjo çështje ka potencial që të “devijojë ose anulojë mijëra fluturime çdo ditë, duke anuluar miliona rezervime të pasagjerëve e duke shkaktuar dëme të konsiderueshme”.

Shefi i United Airlines, Scott Kirby tha se moszgjidhja e çështjes së ndërhyrjes së mundshme të teknologjisë 5G në pajisjet e avionëve, do të nënkuptonte që aeroportet kryesore të SHBA-së në rast të motit të keq, reve apo tymit të rëndë, “mund të kenë vetëm qasje vizuale”. /rel/


Shtuar 10.01.2022 17:46