Van Dijk tregon kundërshtarin e tij më të vështirë – nuk është Messi as Ronaldo

Ylli i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, ka ‘injoruar’ yje të futbollit botëror si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Erling Haaland, teksa ka përzgjedhur kundërshtarin e tij më të vështirë, që për shumë kënd mund të jetë një befasi.

Mbrojtësi holandez gjatë karrierës së tij ka pasur mundësinë që të përballet me sulmues të klasit botëror.

Në raste të ndryshme, ai ka pasur punë kundër emrave si Messi dhe Ronaldo dhe tani rregullisht përballet me Haaland, pasi norvegjezi iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit të kaluar.

Por, Van Dijk e ka zgjedhur sulmuesin e Milanit, Olivier Giroud, si lojtarin që nuk i pëlqen ta ketë si kundërshtar.

Reprezentuesi holandez ka luajtur ndaj Giroudit gjatë kohës sa francezi ishte pjesë e Arsenalit dhe Chelseat, gjithashtu edhe në skenën ndërkombëtare ndaj Francës.

“Mendoj se Olivier Giroud është sulmuesi më i vështirë që jam përballur. Në çdo ndeshje, ju mendoni se e keni markuar atë mirë, por ai gjithmonë arrin që të shënojë në një mënyrë ose tjetër. Me kokë, me këmbë, me gju. Ai shpeshherë ka shënuar ndaj meje (qesh)”, ka thënë Van Dijk.

Përveç Giroud, Van Dijk ka përmendur edhe një sërë emrash të tjerë si, Aguero, Haaland dhe Gabriel Jesus, të cilët i ka cilësuar si kundërshtarë të vështirë. /Telegrafi/


Shtuar 13.01.2024 20:06