Ukraina, betejë në distancë me Rusinë dhe UEFA-n për fanellat

Prapa skenave në UEFA po zhvillohet një betejë e mirëfillitë në distancë mes Rusisë, Ukrainës por edhe qeverisë europiane të futbollit.

Ukraina ndezi polemikat me fanellën e re ku përfshihet Krimeja e aneksuar në 2014 nga Rusia dhe këta të fundit u ankuan menjëherë në UEFA. Nëpërmjet një komunikate, qeveria e futbollit europian ka kërkuar nga Ukraina të modifikojë fanellat pasi shikon elementë politikë në kit-in e kësaj përfaqësuese, një lëvizje e shtyrë sigurisht nga Moska.

Kur pritej një dorëzim nga Ukraina, Federata e këtij vendi ka njoftuar se do të luftojë deri në fund madje do të negociojë për të mbajtur fanellën e kombëtares në Europian.

Kreu i Federatës, Andrei Pavelko njoftoi se është nisur me urgjencë në Romë për të negociuar me përfaqësuesit e UEFA-s: UEFA pati dhënë “ok” për fanellën dhe të gjithë elementëve të saj më parë duke përfshirë edhe frazën “Lavdi Heronjve”.

Nuk vonoi edhe reagimi i federatës ruse menjëherë me një deklaratë; Edhe me ndryshimet e bëra, uniforma e ekipit kombëtar të Ukrainës mbetet e politizuar dhe krijon një precedent të rrezikshëm, shkruhet në reagimin nga Moska.

Ndërkohë, fanella ka tërhequr shumë vëmendje dhe sigurisht tifozët ukrainas kanë blerë deri tani 1500 bluza të reja, ashtu siç janë hedhur në shitje me hartën e Krimesë dhe me frazat “Lavdi Heronjve”.


Shtuar 10.06.2021 22:48