UEFA ka bërë të ditur se mund të tërhiqet nga të gjitha kompeticionet nën organizimin e FIFA-s, nëse merr miratim nisma për t’u shitur investitorëve privatë aksione në garat e saj.
Të lidhura
None found
Në një takim urgjent të zhvilluar të enjten, 55 federatat që përbëjnë UEFA-n votuan në favor të bojkotit, sipas raportimeve, nëse federatat anëtare të FIFA-s mbështesin propozimin e presidentit Gianni Infantino.
Mbledhja u thirr pas projektit që FIFA paraqiti të martën. Plani synon t’u mundësojë investitorëve privatë qasje në një pjesë të vlerës komerciale të kompeticioneve të organizatës. UEFA fillimisht e kundërshtoi nismën përmes dy deklaratave të forta, ndërsa tashmë ka ndërmarrë një hap më konkret.
Nëse propozimi kalon, masa do të zbatohet ndaj Kupës së Botës për meshkuj, Kupës së Botës për femra dhe Kupës së Botës për Klube. Si pasojë, asnjë klub apo kombëtare evropiane nuk do të merrte pjesë në garat e FIFA-s.
Federatat anëtare të FIFA-s duhet të votojnë për projektin e Infantinos. Prova e parë për zbatimin e këtij qëndrimi mund të paraqitet në tetor, kur parashikohet të luhen ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës për femra.
Marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s janë tensionuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Drejtuesit e futbollit evropian vlerësojnë se nisma e re rrezikon mënyrën aktuale të qeverisjes së futbollit botëror.
