Trajneri i Southampton tregon sekretin se si Armando Broja me shokë po shmangin infektimin nga COVID-19

Trajneri i Southampton tregon sekretin se si Armando Broja me shokë po shmangin infektimin me koronavirus.Premier League është kapluar nga ankthi i COVID në ditët e fundit duke qenë se klubet elitare të Anglisë kanë raportuar mbi 90 futbollistë të infektuar me virusin e rrezikshëm.

Mbi 10 ndeshje janë shtyrë, megjithatë është vendosur që kampionati të vazhdojë sipas kalendarit të paracaktuar teksa skuadrat do të zbresin në fushë më datë 26 dhjetor.

Ndërkaq, klubet janë duke bërë të pamundurën që të mbajnë në zero numrin e të infektuarëve brenda grupit, ndërsa së fundmi trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl, ka zbuluar edhe një vendim për të minimizuar rrezikun e infektimit.

Tekniku zbulon se tashmë Armando Broja me shokë janë duke u ndërruar në makinat personale, teksa nuk e konsumojnë drekën në ambiente të mbyllura, por e marrin atë me vete për t’u ushqyer në shtëpi.“Situata me COVID-in ndryshon çdo ditë, deri tani jemi mirë por do të testohemi sërish.

Po mundohemi t’i përmbahemi rregullave dhe të qëndrojmë të sigurt. Jemi në një moment të mirë, teksa kemi marrë disa masa. Ushqimin nuk po e konsumojmë në ambientet e mbyllura ndërkohë që futbollistët e paketojnë dhe ushqehen në shtëpi.Së fundmi, kemi përdorur makinat personale për t’u ndërruar. E di që nuk është situata më e mirë për futbollistët, por ky moment na detyron të veprojmë në këtë formë.

Do të mundohemi të minimizojmë kohën që kalojmë në qendrën stërvitore dhe nëse dikush rezulton i infektuar të mos shkaktojë një valë të tërë infektimi në grup. Kështu, kemi vepruar edhe më parë kur kishim të infektuar në organikë dhe këtë po bëjmë edhe tani. Po mundohemi për më të mirën”, u shpreh Ralph Hasenhuttl.


Shtuar 24.12.2021 16:08