Barcelona ka hapur një memorial brenda stadiumit Camp Nou, ku tifozët mund të vendosin urnat me hirin e të afërmve të ndjerë. Hapësira e posaçme është pjesë e projektit për modernizimin e stadiumit.
Memoriali do të ketë 26 mijë vende. Sipas gazetës britanike The Guardian, çmimi i rezervimit përcaktohet nga periudha e përdorimit: një vend për 10 vjet kushton 2,490 euro, ndërsa për 50 vjet, 6,000 euro. Për mirëmbajtjen do të paguhet gjithashtu një tarifë vjetore prej 70 eurosh.
Të lidhura
None found
Rezervimi i përhershëm kushton 10 mijë euro. Pllaka përkujtimore ofrohet kundrejt një pagese shtesë prej 490 eurosh. Deri tani, më shumë se 1,000 tifozë kanë siguruar një vend në memorial.
Gjatë prezantimit të projektit, zv.presidentja e klubit për çështje institucionale tregoi për dëshirën e gjyshit të saj që të prehej pranë stadiumit të Barcelonës. “Kur vdiq shumë vite më parë, ai tha se e vetmja gjë që dëshironte ishte të varrosej pranë stadiumit të Barçës, në mënyrë që të mund të dëgjonte golat edhe në jetën e përtejme. Shumë tifozë ëndërrojnë të njëjtën gjë”, tha ajo.
Projekti parashikon katër struktura të mëdha katrore të ndriçuara. Pllakat do të vendosen në një mur xhami me ndriçim LED, ndërsa urnat do të ruhen pas një muraleje kushtuar momenteve më të rëndësishme të historisë së klubit.
Ndërtimi pritet të nisë në fund të vitit të ardhshëm. Barcelona njoftoi se paratë e mbledhura nga rezervimet do të ndihmojnë në përballimin e një pjese të kostove të rinovimit të Camp Nou.
Stadiumi, i ndërtuar në vitin 1957, po kalon një transformim të gjerë. Në vitin 2023, Barcelona nisi punimet për ta rritur kapacitetin nga 99,354 në 105 mijë vende, me synimin që Camp Nou të bëhet një nga stadiumet më të mëdha të futbollit në botë.
Kostoja e rinovimit, e llogaritur fillimisht në 900 milionë euro, është rritur tashmë në rreth 2 miliardë euro.





