Titullar për herë të parë këtë sezon, Strakosha vlerësohet lart në Itali

Ndeshja e fundit e Thomas Strakoshës me Lazion në kampionatin italian, datonte në sfidën e Serisë A sezonin e kaluar më datë 23 maj ndaj Sassuolos, ku portieri shqiptar nuk e shmangu dot humbjen 2-0.

Megjithatë, ditën e djeshme, gardiani i kombëtares u rikthye nga minuta e parë për bardhekaltërit në sfidën ndaj Sampdorias teksa trajneri Maurizio Sarri i besoi një fanellë titullari.

Dhe, në fakt Strakosha nuk e zhgënjeu teksa në fitoren 1-3 ndaj dorianëve rezultoi vendimtar në dy apo tre raste. Edhe në notat pas ndeshjes, 26-vjeçari u vlerësua pozitivisht, ndërsa Eurosport i vendosi notën e lartë, 6.5.

“Strakosha pati një paraqitje shumë të mirë, sepse ai shpëtoi Lazion në dy-tre situata të vështira. Pas atij gabimi me Galatasaray, duket se është rikuperuar dhe e ka marrë veten duke hedhur pas krahqve momentin e vështirë. Është një luks që Lazio ka një numër dy si puna e Strakoshës”, thekson Eurosport.


Shtuar 6.12.2021 09:08