Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se gjatë vitit financiar 2025/26 ka gjeneruar të ardhura marramendëse në vlerën 1.221 miliardë euro, duke përjashtuar nga kjo shifër çdo fitim nga transferimi i futbollistëve. Të dhënat u miratuan në mbledhjen më të fundit të këshillit drejtues të klubit spanjoll.
Të lidhura
None found
Me një rritje prej 3.1% krahasuar me vitin paraprak, klubi madrilen është shndërruar në entitetin e parë sportiv në planet që arrin të thyejë barrierën simbolike prej 1.2 miliardë eurosh në të ardhura.
Faktorët kryesorë pas kësaj rritjeje, sipas vetë klubit, janë performanca e përmirësuar e të ardhurave nga stadiumi dhe aktivitetet tregtare. Konkretisht, fitimet e gjeneruara nga “Santiago Bernabeu” janë rritur me 11%, ndërsa sektori i marketingut shënoi një rritje prej 6%, e mbështetur nga kontrata të reja sponsorizimi.
Përtej shifrës rekord të të ardhurave, klubi ka raportuar gjithashtu një fitim neto prej 26.3 milionë eurosh, duke e çuar në 26 numrin e sezoneve radhazi që Real Madridi mbyll vitin financiar me bilanc pozitiv.
Sa i përket shëndetit të përgjithshëm financiar, klubi disponon një pasuri neto prej 624 milionë eurosh dhe rezerva monetare që kapin shifrën 83 milionë euro.
Gjatë mbledhjes, bordi nënvizoi gjithashtu se investimi total për modernizimin e stadiumit “Santiago Bernabeu” ka arritur tashmë në 1.407 miliardë euro, ndërsa theksoi se klubi mbetet në një pozicion të qëndrueshëm financiar për të vepruar në afatet e ardhshme të merkatos.
