Ivan Gvozdenovic nuk do të jetë më trajneri i Elbasanit, pasi u njoftua largimi i tij nga drejtimi i skuadrës. Tekniku serb vendosi të largohej me vullnetin e tij, duke i hapur rrugë një ndryshimi pas rezultateve të dobëta. Elbasani ka grumbulluar 7 pikë dhe renditet në vendin e 6-të të klasifikimit.
Të lidhura
None found
Me largimin e Gvozdenovic, numri i trajnerëve që kanë ndarë rrugët me klubet e tyre ka shkuar në tre brenda një periudhe prej 17 ditësh. I pari ishte Edi Martini, i cili u shkarkua nga Vllaznia për shkak të rezultateve. Pas 11 ditësh, Partizani largoi Florin Bratun, vendim që erdhi pas humbjes në derbi.
Ndryshe nga dy kolegët e tij, Gvozdenovic zgjodhi të dorëhiqej vetë dhe të largohej nga Elbasani. Në një panoramë më të gjerë, rasti i tij tregon edhe një herë se rezultatet negative sjellin vendime të ashpra, sidomos kur ato nuk përputhen me pritshmëritë e klubit.
Vetëm në javën e 7-të të “Abissnet Superiores” janë larguar tre trajnerë. Një situatë e tillë mund të konsiderohet e zakonshme në një kampionat ku besimi zgjat deri në momentin kur objektivat rrezikohen. Megjithatë, stabiliteti dhe vazhdimësia mbeten të vështira për t’u garantuar në një kampionat të “sprovuar” si ai shqiptar.




