Leandro Paredes nuk do të largohet nga Boca Juniors. Kapiteni 32-vjeçar i skuadrës argjentinase ka refuzuar interesimin e Milanit, duke mbyllur kështu çdo hamendësim për një rikthim të mundshëm në Serie A.
Sipas TyC Sports, drejtuesit e klubit italian komunikuan drejtpërdrejt me mesfushorin për të mësuar nëse ishte i gatshëm të transferohej, përpara se të paraqisnin një propozim zyrtar.
Të lidhura
None found
Paredes e përjashtoi menjëherë këtë mundësi. Fituesi i Kupës së Botës 2022 me Argjentinën i kërkoi Milanit që të mos dërgonte ofertë zyrtare në bordin drejtues të Bocas, pasi nuk planifikon të largohet nga “La Bombonera”.
Reprezentuesi argjentinas e falënderoi Milanin për telefonatën dhe interesimin, por theksoi se ndihet i lumtur te Boca Juniors. Ai synoi t’u jepte fund sa më shpejt zërave të merkatos dhe bëri të ditur se është tërësisht i përqendruar te përgjegjësitë e tij me ekipin në garat vendase.
Kontrata e Paredes me klubin argjentinas është e vlefshme deri në përfundim të vitit 2028. Pranimi i propozimit të Milanit do ta kthente atë në Serie A, kampionat ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës.
Mesfushori e nisi përvojën e tij në futbollin italian në vitin 2014 me Chievon, ndërsa më vonë veshi fanellat e Empolit dhe Romës. Pas aventurave te Zeniti dhe Paris Saint-Germain, ai u kthye në Itali në vitin 2022 si lojtar i Juventusit, për të luajtur sezonin pasardhës me Romën.
Në mesin e vitit 2025, Paredes u rikthye te Boca Juniors, klubi ku kishte hedhur hapat e parë të karrierës. Paraqitjet e tij të mira në kampionatin argjentinas i siguruan një vend në ekipin kombëtar.
