Kombëtarja e Kosovës ka përfshirë në grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve tre futbollistë të rinj: Erblin Osmanin, Dion Kaçurrin dhe Milot Avdylin. Të tre do të jenë pjesë e ekipit për sfidat ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.
Të lidhura
None found
Në nisje të këtij cikli, përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur t’u japë mundësi edhe emrave të rinj. Për Osmanin, Kaçurrin dhe Avdylin, thirrja në përfaqësuese shënon një moment të rëndësishëm në karrierë dhe një rast për të treguar vlerat e tyre me fanellën e Dardanëve.
Përmes një videoje të publikuar nga FFK-ja, tre futbollistët kanë ndarë emocionet e tyre pas ftesës së parë me Kombëtaren e Kosovës, duke shprehur krenarinë për këtë mundësi.
Erblin Osmani ka theksuar se do të japë gjithçka për fanellën e Kosovës, duke e konsideruar këtë përvojë si fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e tij.
Dion Kaçurri është shprehur i lumtur dhe krenar që i është besuar mundësia për të luajtur me Kosovën. Ai ka premtuar përkushtim maksimal çdo ditë në shërbim të fanellës së Dardanëve dhe e ka përmbyllur mesazhin me fjalët: “Forca Kosova”.
Ndërkaq, Milot Avdyli e ka përshkruar ftesën si përmbushjen e një ëndrre. Ai ka rikujtuar rrugëtimin e nisur në grupmoshat e Kosovës dhe vazhdimin e tij deri te Kombëtarja A, duke nënvizuar se tashmë do të jetë tërësisht në shërbim të vendit. “Ëndërr e realizuar, zemra plot krenari, tash gjithçka për Kosovën”, ka deklaruar Avdyli.
FFK-ja i ka uruar tre lojtarët për këtë etapë të re, duke theksuar përkushtimin, krenarinë dhe përgjegjësinë që sjell veshja e fanellës së Kosovës.
Për Osmanin, Kaçurrin dhe Avdylin, përfshirja në Kombëtaren A përbën një hap të rëndësishëm në karrierë dhe një mundësi për të luajtur në skenën më të madhe të futbollit kosovar.
