Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, tha se do të marrë një vendim për të ardhmen e tij në fund të sezonit, por e bëri të qartë se nuk do ta “tradhtojë” kurrë klubin.
Guardiola, i cili e mori drejtimin në vitin 2016, ka kontratë deri në fund të sezonit 2022-23.
“Nuk jam mjaftueshëm i mirë për të menduar afatgjatë”, u tha Guardiola gazetarëve përpara ndeshjes së së shtunës në Premier League në Southampton, raporton MundoDeportivo.
“E ardhmja ime varet gjithmonë nga rezultatet. Pra, le të luajmë me Southampton, të pushojmë pak dhe në fund të sezonit do të shohim se çfarë do të ndodhë.Më dhanë gjithçka, ndaj nuk mund t’i tradhtoj apo t’u bëj ndonjë të keqe”.
Guardiola synon të udhëheqë City drejt titullit të tyre të katërt të ligës në pesë vjet, pasi ka fituar gjithashtu katër Kupa të Ligës dhe FA Cup gjatë mandatit të tij.
“Së bashku kemi marrë vendimin që të vijmë këtu dhe të vazhdojmë kontratën dy herë dhe tani do të jetë njësoj”, shtoi ai. “Varet se si ndihen ata për mua dhe si ndihem unë në klub. Ndihem mirë dhe rehat. Kur nuk kam energji dhe ndihem pak i lodhur , jam shumë i sigurt që do të largohem. Por tani ndihem mirë”. /albeu.com/