Ndeshjet e Premier League kërkohen të shtyhen këtë fundjavë

Virusi Covid-19 vazhdon të jetë i pranishëm në masë të madhe në skuadrat e Premier Ligës së Anglisë duke bërë që disa ndeshje të këtij kampionati të mos zhvillohen.

Për shkak të kësaj situate, të mërkurën u pezullua ndeshje ndërmjet Burnleyt dhe Watfordit, ndërsa sot, shtyrjen e ndeshjeve e ka kërkuar edhe trajneri i Brentfordit Thomas Frank i cili ka kërkuar që raundi i kësaj fundjave në Premier Ligë të shtyhet pasi skuadra e tij u bë klubi më i fundit që u godit nga një shpërthim i madh Covidit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të enjten në mëngjes, Frank bëri thirrje që raundi i ardhshëm i ndeshjeve të ligës angleze të anulohej për shkak se numri i të infektuarve në skuadrën e tij ka shkuar në 13.

“Ne mendojmë se duhet t’i shtyjmë të gjitha ndeshjet këtë fundjavë”, tha ai.

“Rastet me Covid kanë prekur kulmin në të gjitha klubet e Premier Ligës, të gjithë po merren me këtë situatë dhe kanë probleme”, tha më tutje Frank.

Ai kërkoi së paku një javë pushim në mënyrë që klubet të kenë hapësirë që t’i dezinfektojnë gjitha hapësirat stërvitore dhe stadiumet për të shmangur kështu rrezikun e përhapjes edhe më të madhe të pandemisë./ h.ll/albeu.com

 


Shtuar 16.12.2021 13:31