Pentobarbitali është një barbiturat me veprim të shpejtë, i përdorur dikur kryesisht për anestezi. Në ditët e sotme, ai është bërë gjithashtu pjesë e protokolleve të injeksioneve vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara.
Të lidhura
None found
Substanca u rikthye në vëmendjen publike pas rastit të Christa Pike, e cila u dënua me vdekje për vrasjen e një shoqeje në vitin 1995. Gjatë një tentative për ekzekutimin e saj në Tennessee, Pike i mbijetoi administrimit të dy dozave të pentobarbitalit.
Marco Marano, drejtues i Qendrës së Antiveneve në spitalin pediatrik Bambino Gesu në Romë dhe anëtar i Shoqatës Italiane të Toksikologjisë, shpjegon se pentobarbitali është një barbiturat me veprim të shkurtër dhe me tretshmëri të lartë në yndyrë. Për shkak të kësaj karakteristike, ai kalon me shpejtësi barrierën gjak-tru dhe shkakton thuajse menjëherë një efekt anestezik.
Substanca shpërndahet shpejt edhe në indet periferike. Si pasojë, ndikimi i saj mbi sistemin nervor qendror fillon të zbehet pas disa orësh.
Ndikimi në organizëm
Efektet e pentobarbitalit varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga sasia e përdorur. Kur merret në doza të larta, ilaçi mund të ndikojë jo vetëm te sistemi nervor, por edhe te zemra dhe qarkullimi i gjakut.
Pentobarbitali nuk vepron si qetësues dhimbjesh. Ai mund të shkaktojë përgjumje dhe humbje të vetëdijes, por nuk garanton zhdukjen e ndjesisë së dhimbjes. Për këtë arsye, gjatë përdorimit të tij në anestezinë e përgjithshme, ai kombinohej me barna të tjera, mes tyre edhe analgjezikë.
Roli i pentobarbitalit në mjekësi është zvogëluar ndjeshëm me kalimin e kohës, pasi në shumë raste është zëvendësuar nga preparate të tjera.
Roli i “serumit të së vërtetës”
Në të kaluarën, pentobarbitali është përdorur edhe si i ashtuquajturi “serum i së vërtetës”. Në doza të ulëta, ai mund të dobësojë kontrollin dhe frenimin neurologjik, duke e bërë një person më pak të përmbajtur gjatë përgjigjeve.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se deklaratat e bëra nën efektin e tij janë patjetër të vërteta. Informacioni i dhënë në këto kushte nuk mund të cilësohet automatikisht si i saktë.
Ekzekutimet dhe vetëvrasja e asistuar
Pentobarbitali përdoret edhe në disa raste të vetëvrasjes së asistuar në Zvicër. Në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, ai është përdorur si pjesë e injeksioneve vdekjeprurëse gjatë ekzekutimeve.
Ngjarja që lidhet me Christa Pike e ka rihapur debatin mbi mënyrën e përdorimit të këtij ilaçi në ekzekutime, veçanërisht pasi tentativa për t’i administruar dozat e planifikuara nuk pati rezultatin e pritshëm.
