Ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni i Real Madridit, Nacho Fernandez, ka shprehur mbështetjen e tij për Vinicius Junior, duke argumentuar se sulmuesi brazilian po trajtohet në mënyrë të padrejtë.
Të lidhura
None found
Nacho, i cili aktualisht është pjesë e Al-Qadisiyah në Arabinë Saudite, foli për ish-bashkëlojtarin e tij gjatë një interviste të fundit, duke u mbështetur edhe në marrëdhënien e afërt që ka me të.
Sipas tij, Viniciusi është lojtari që angazhohet më shumë në stërvitje te Real Madridi. Ai nënvizoi se braziliani ka fituar shumë me klubin dhe i ka dhënë një kontribut të madh skuadrës.
“Vinicius kohët e fundit po trajtohet në mënyrë të padrejtë. Ai ka fituar shumë me Real Madridin dhe i ka dhënë shumë klubit. Çdo lojtar kalon momente kur nuk është në nivelin e tij më të mirë”, u shpreh Nacho.
Ish-kapiteni madrilen e përsëriti vlerësimin e tij për përkushtimin e sulmuesit brazilian në punën e përditshme.
“E njoh personalisht Viniciusin dhe nuk kam asnjë dyshim se ai është lojtari që punon më së shumti, pa diskutim”, shtoi ai.
Nacho foli edhe për rëndësinë që Viniciusi dhe pjesa tjetër e skuadrës të rikthehen në formën optimale në fazën vendimtare të sezonit.
“Duhet të gjejmë një mënyrë që të dy të performojnë në nivelin e tyre më të lartë gjatë pjesës më të rëndësishme të sezonit”, përfundoi ai.
