Manchester City ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur, duke shprehur zhgënjim dhe habi për përfundimet e publikuara. Klubi anglez ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin, ndërsa afati për ta ushtruar këtë të drejtë përfundon të premten.
Të lidhura
None found
“Manchester City FC është i zhgënjyer dhe i befasuar nga vendimi i Komisionit të Ligës Premier, i cili është publikuar sot”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.
Klubi vazhdon të mbrojë qëndrimin se nuk është fajtor për akuzat e ngritura nga Liga Premier dhe thekson se disponon prova të fuqishme për ta mbështetur këtë pretendim.
“Klubi është i pafajshëm për akuzat e bëra nga Liga Premier dhe ka një sasi të plotë provash të pakundërshtueshme në mbështetje të të gjitha qëndrimeve të tij lidhur me këtë rast. Për këtë arsye, klubi do të jetë i paepur dhe, kur të jetë e nevojshme, proaktiv në çdo forum të përshtatshëm rregullator dhe ligjor”, vijon deklarata.
Sipas Manchester Cityt, procedura disiplinore e Ligës Premier nuk ka përfunduar ende. Klubi pretendon gjithashtu se vendimi përmban gabime materiale, ligjore, parimore dhe faktike.
“Procesi i Ligës Premier është ende në zhvillim dhe ka elementë të rëndësishëm që nuk janë përmbyllur. Manchester City FC do të ndjekë tashmë rrugët e apelimit që i janë vënë në dispozicion, duke u bazuar në faktin se vendimi përmban gabime të qarta materiale, ligjore, parimore dhe faktike, si dhe është i pasigurt”, thuhet në reagim.
Manchester City ka deklaruar se përgjatë tetë viteve të procesit ka respektuar procedurat, duke pritur që drejtuesit e Ligës Premier të vepronin si një rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.
“Klubi është padyshim i kufizuar në atë që mund të deklarojë më tej, derisa të përfundojnë të gjitha procedurat e ardhshme”, përfundon reagimi i Manchester Cityt.
Ende nuk është marrë vendimi përfundimtar mbi sanksionin që mund t’i shqiptohet Manchester Cityt. Liga Premier ka njoftuar se çështja e dënimit do të shqyrtohet veçmas, ndërsa klubi pritet të vijojë me procedurën e apelimit.
