Lumbardh Dellova ka bërë një tjetër lëvizje të rëndësishme në rrugëtimin e tij profesional, pasi tashmë është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i Amedsporit.
Të lidhura
None found
Për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës, klubi turk ka paguar 950 mijë euro te CSKA Sofia, duke aktivizuar klauzolën e lirimit për kartonin e 27-vjeçarit. Në këtë mënyrë, Dellova mbyll aventurën e tij në futbollin bullgar, pas paraqitjeve të mira me ekipin nga kryeqyteti.
Futbollisti kosovar ka firmosur marrëveshje trevjeçare me Amedsporin dhe do të jetë pjesë e projektit të klubit për sezonin 2026/27, ku pritet të ketë peshë të rëndësishme në fazën mbrojtëse.
Te Amedspori, Dellova do të drejtohet nga legjenda shqiptare Besnik Hasi, ndërsa në skuadër do të ketë si bashkëlojtarë edhe Ermal Krasniqin dhe Florent Hasanin.
Njoftimi i plotë i Amedsporit:
“Si pjesë e planifikimit të skuadrës sonë për sezonin 2026-2027, klubi ynë ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me lojtarin e Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i cili së fundmi ishte pjesë e CSKA Sofia.
Lumbardh Dellova, 27 vjeç, i aftë të luajë si mbrojtës qendror, mbrojtës i djathtë dhe mbrojtës i majtë, do t’i japë ekipit tonë kontribute të rëndësishme falë stilit të tij të gjithanshëm të lojës”.
“E mirëpresim Lumbardh Dellovën në klubin tonë dhe i dëshirojmë një karrierë të suksesshme me fanellën tonë jeshile dhe të kuqe”.
