Luftë e fortë për Kalulun: PSG-ja dhe tri gjigantët anglezë pas yllit të Juventusit

Pierre Kalulu është kthyer në një nga emrat më të flitur të tregut evropian, me gjigantët e kontinentit që e kanë vënë në shënjestër, ndërkohë që nga Torino po përshpejtohen hapat për zgjatjen e marrëveshjes dhe për sigurimin e qëndrimit të tij.

Të lidhura

None found

Kampionët e Francës dhe tri forcat e Premierligës – Manchester Unitedi, Liverpooli dhe Newcastle Unitedi – e ndjekin nga afër mbrojtësin 26-vjeçar, i cili në muajt e fundit është shndërruar në një nga shtyllat e Juventusit.

Transfertuar te “Zebra” nga Milani, francezi ka arritur me kalimin e kohës të fitojë peshë të madhe brenda grupit. Trajneri Luciano Spalletti e aktivizon më së shumti si anësor të djathtë të mbrojtjes, rol në të cilin është treguar aq i sigurt sa ka marrë edhe thirrjen në kombëtaren e Francës.

Sipas “TuttoJuve”, klubi i Mançesterit e ka pasur prej kohësh në radar francezin, pasi e kishte ndjekur me kujdes edhe gjatë sezonit të shkuar. Njëkohësisht, Liverpooli dhe Newcastle e mbajnë në fokus që një vit të plotë, duke e konsideruar si mundësi serioze për të forcuar prapavijën.

Kësaj gare i është bashkuar së fundmi edhe Paris Saint-Germaini, që e sheh Kalulun si alternativë të besueshme për Achraf Hakimin në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Ky interes në rritje ka nxehur drejtuesit e Juventusit, të cilët kanë kaluar në veprime konkrete. Raportimet tregojnë se objektivi është vulosja e rinovimit para se të përfundojë viti në rrugë, me synimin për të eliminuar rrezikun e një humbjeje të mundshme në të ardhmen.

Një faktor tjetër që e rrit vlerën e tij në sytë e klubeve të mëdha është polivalenca: përveç krahut të djathtë, ai mbulon pa problem çdo post tjetër të mbrojtjes dhe përshtatet edhe si krah i lirë në modulet me tre qendërmbrojtës.

Mbetet për t’u parë nëse “Zebra” do ta bindë përfundimisht francezin për një bashkëpunim të mëtejshëm, apo joshja e Premierligës dhe e PSG-së do ta çojë atë drejt një kapitulli të ri në karrierë.