Ukraina po kërkon për një trajner pas largimit të Andriy Shevchenkos. Ish-ylli i Milanit nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Federatës për të ulur rrogën (nga 75 mijë $ në muaj në 30 mijë $) dhe i dha fund aventurës 5-vjeçare në stolin e kombëtares së tij.
Drejtuesit e futbollit ukrainas kanë nisur nga puna për gjetjen e trajnerit të ri. Sport.ua shkruan se një nga alternativat që pëlqehen është Giovanni De Biasi, ish-trajneri i kombëtares shqiptare në periudhën dhjetor 2011-qershor 2017.
65-vjeçari drejton Azerbajxhanin prej korrikut të vitit të kaluar. Kontrata me kombëtaren azere i përfundon më 30 nëntor. Në garë për stolin e Ukrainës janë edhe emra si Jurgen Klinsmann, Sergei Rebrov (ishte trajneri i Myrto Uzunit te Ferencavaros) dhe Miron Markevich.