Barcelona do të përdorë një fanellë të veçantë në përballjen e radhës ndaj Real Madridit, ku në pjesën e përparme do të vendoset fjala “GOLF”. Ky dizajn është pjesë e një bashkëpunimi me artistin amerikan Tyler, The Creator.
El Clasico do të luhet të dielën, më 25 tetor, në kuadër të La Ligës. Nisma është realizuar përmes partneritetit të klubit katalanas me Spotify dhe artistin, i cili është themeluesi i markës GOLF WANG.
Të lidhura
None found
Fanella me logon e GOLF WANG do të debutojë fillimisht te skuadra e femrave të Barcelonës, e cila do ta mbajë atë të shtunën. Një ditë më pas, dizajni do të përdoret nga ekipi i meshkujve në sfidën kundër Real Madridit.
Klubi ka kujtuar se Tyler, The Creator është artisti i fundit që bëhet pjesë e këtij projekti, pas Olivia Rodrigo, Ed Sheeran, Travis Scott, Coldplay, Karol G, The Rolling Stones, Rosalía dhe Drake.
Për këtë fushatë, Spotify i ka dhënë për herë të parë një artisti dhe markës së tij përgjegjësinë e plotë për drejtimin krijues, duke përfshirë materialet audiovizuale dhe grafike.
Një ditë para zhvillimit të El Clasicos, Spotify do të zhvillojë në Barcelonë edhe një event muzikor. Ndërkohë, fanella speciale do të jetë e aksesueshme nga 23 tetori edhe në lojën e futbollit virtual eFootball.
Do të prodhohen 1.899 fanella të këtij edicioni, ndërsa 22 prej tyre do të kenë autografet e futbollistëve të ekipeve të meshkujve dhe femrave. Një tjetër seri prej 11 fanellash do të nënshkruhet nga Tyler, The Creator.
Barcelona ka një marrëdhënie të veçantë me sponsorët në pjesën ballore të uniformës. Klubi, i themeluar në vitin 1899, nuk lejoi reklamimin e sponsorëve komercialë në fanellë deri në vitin 2006, kur vendosi pa pagesë logon e UNICEF-it. Më vonë, në fanellë u shfaqën edhe sponsorë si Qatar Foundation, Qatar Airways dhe Rakuten.
Spotify është sponsori kryesor i Barcelonës që prej vitit 2022 dhe ka përdorur disa ndeshje ndaj Real Madridit për të promovuar artistë të njohur. I pari prej tyre ishte reperi Drake, marka “October’s Very Own” e të cilit u vendos në fanellën e Barcelonës gjatë një El Clasicoje në vitin 2022, ndeshje që katalunasit e humbën.






