Lajme të mirë nga Pele, legjenda lë spitalin dhe feston Krishtlindjet në shtëpi

Edson Arantes do Nascimento ose i njohur gjerësisht si Pele, ka marrë lajme të mira duke qenë se pas disa javësh ka braktisur ambientet e spitalit për t’u rikthyer në shtëpi pranë familjes. Legjenda braziliane ka qenë në vëzhgimin e bluzave të bardha për të kryer edhe seancën e fundit të kimioterapisë teksa ka pasur më parë komplikacione për shkak të një tumori i cili iu hoq katër muaj më parë.

Megjithatë, për fat të mirë të 81-vjeçarit edhe mjekët kanë konfirmuar se ish-futbollisti është i stabilizuar, ndërsa do të vazhdojë të marrë trajtimin e duhur për të qenë në gjendjen optimale.

Në këtë formë, Pele do të ketë shansin t’i kalojë Krishtlindjet në shtëpi pranë familjarëve të tij, ndërsa nëpërmjet rrjeteve sociale, legjenda braziliane thekson se e mbajti premtimin për të dalë nga spitali.

“Kjo foto me buzëqeshje nuk është e kotë, ashtu siç ju premtova Krishtlindjet do t’i festoj pranë familjes time. Tani jam rrugës për në shtëpi dhe i falenderoj të gjithë për mesazhet e ngrohta”, shkruan Pele në rrjetet sociale.

 

 


Shtuar 24.12.2021 11:35