Kupa e Botës të luhet çdo dy vjet? (FOTO LAJM)

Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit të FIFA-s dhe ish-menaxheri i Arsenalit, Arsène Wenger ka detajuar planet e tij për të organizuar një Kupë Bote çdo dy vjet.

Formati i propozuar nga francezi do të shihte që turnetë kontinental të zhvilloheshin çdo dy vjet, duke u alternuar çdo vit me Kupën e Botës, ndërsa kualifikueset do të grupoheshin së bashku në një ose dy pushime më të gjata ndërkombëtare.

Qëllimi i kësaj sipas Wenger është të vazhdojmë të përmirësojmë cilësinë e futbollit duke rritur frekuencën e garave, së bashku me një përmirësim të ligjeve të lojës.

Kalendari ndërkombëtar do të mbetet i qëndrueshëm deri në vitin 2024, pasi është vendosur tashmë. Por pas vitit 2024, ka një shans për ta ndryshuar atë.

Wenger thotë se do të rritej frekuenca e konkurrencës, në një mënyrë të udhëhequr nga thjeshtësia, një kalendar i qartë dhe dëshira për të organizuar vetëm gara që kanë një kuptim të vërtetë për ta, të cilat janë ato që lejojnë një përmirësim të nivelit të futbollit.

“Ideja e madhe për të filluar është mbajtja e të gjitha ndeshjeve kualifikuese gjatë dy pushimeve ndërkombëtare, në tetor dhe mars, për një shikueshmëri më të madhe në kalendar, për ta bërë më të thjeshtë për klubet dhe për të pasur më pak çështje për t’u zgjidhur për ekipet kombëtare.

“Ideja është që të zvogëlohet numri i ndeshjeve kualifikuese, të grupohen së bashku, dhe më pas në fund të sezonit të ketë një Kupë Bote dhe një kampionat për secilën konfederatë çdo dy vjet. Midis këtyre dy dritareve kualifikuese, lojtari do të qëndronte në klubin e tyre gjatë gjithë vitit”, u shpreh Wenger.

I pyetur nëse kjo do të nënkuptonte një orar më të ngarkuar për lojtarët, francezi tha se është e kundërta pasi lojtarët do të shkojnë më rrallë në kombëtaret e tyre.

“Aspak! Do të ketë të njëjtin numër ndeshjesh si më parë, dhe lojtarët do të shkojnë në detyra ndërkombëtare më rrallë. Ideja është me të vërtetë për të përmirësuar nivelin e lojës dhe garave, nuk ka asnjë stimul financiar pas saj, veçanërisht pasi FIFA rishpërndan paratë në të gjitha federatat në të gjithë botën për të zhvilluar futbollin në vendet e tyre. Për lojtarët, nuk do të ketë më shumë ndeshje dhe do të ketë një pushim të detyrueshëm pas garave ndërkombëtare – të paktën 25 ditë, siç e shoh.

Wenger më tutje ka shtuar se lojtarët në përgjithësi janë ‘pro’ kësaj ideje.

“Në përgjithësi lojtarët janë pro. Ronaldo Fenomeno, Kaká, Mascherano, Gary Lineker janë të gjithë në favor. Është një ide e cila evokon fillimisht një ngurrim, por pasi e kemi shpjeguar, djemtë shkojnë në shtëpi duke menduar: “në fund, nuk është një ide e keqe”, ata ndryshojnë mendje.”

Francezi pret që kjo të vendoset shumë shpejtë, ndoshta në dhjetor të këtij viti.

“Personalisht, veçanërisht duke pasur parasysh kohën që po i kushtoj, do të doja që ajo të vendoset në dhjetor! Por nuk është bërë akoma zyrtare kjo gjë”, ka theksuar ndër të tjerash francezi legjendar.


Shtuar 3.09.2021 21:48