Kapllani: Sulmi i Kombëtares është “zjarr”, Manaj po e kërkon me “dhunë” një vend!

Edmond Kapllani ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare, duke qenë edhe autori i 6 golave ndër vite me fanellën kuqezi.

Duke u rikthyer të japë opinionet e tij në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi thotë se Rei Manaj po e kërkon me “dhunë” një vend për në listën e Europianit.

Ai mendon se këto dy miqësore do të jenë një mundësi për lojtarët që nuk kanë minuta dhe Silvinjo do t’i shohë, këtu përmend Brojën dhe Kumbullën. Kapllani shprehet se trajneri nuk do të bëjë shumë ndryshime këtë herë, sidomos në lojtarët e krahut, ndërsa e ka një koment për Arbër Hoxhën dhe për sulmuesit që mendon se do të marrë Silvinjo në Europianin e Gjermanisë, aty ku ish-sulmuesi jeton aktualisht.

Kapllani, si ju është dukur lista e Kombëtares shqiptare për këto dy miqësore?

Duke parë edhe konferencën për shtyp që trajneri dha, ka marrë dy sulmues që t’i provojë, t’iu japë shansin nëse janë apo nuk janë gati për në Gjermani. Kështu ishte disi e pritshme, sepse edhe lojtarët që janë thirrur, po kalojnë formë të mirë me skuadrën e tyre. Është logjike që Silvinjo si një selektor që është, t’iu japë mundësinë.

E kishit menduar se një ditë Shqipëria do të arrinte të grumbullonte 9 sulmues?

Sepse këtu fusim edhe Seferin apo Asanin, të cilët janë lojtarë krahu. Unë po them për sulmuesit para, që janë Cikalleshi, Rei Manaj, Broja. Konkurrenca është diçka e mirë. Mund të them se Manaj po e kërkon me ngulm Kombëtaren, po bën një sezon shumë të mirë atje në Turqi. Kështu në këto dy ndeshje miqësore, do t’i jepet mundësia që të tregojë veten. Edhe Silvinjo të ketë një arsye për ta marrë me vete në Gjermani. Po të bëjë dy ndeshje të mira, pse jo edhe të shënojë, besoj se do të jetë në Europian

Edhe pse është herët, si një ish-sulmues i Kombëtares, kë mendon Kapllani se do të marrë Silvinjo në Europian nga sulmuesit që ka në dispozicion?

Si sulmues unë them se do të jetë Cikalleshi, Broja gjithashtu them se do të jetë. Rei Manaj po e kërkon me “dhunë”. Unë e shoh se edhe ai duhet të jetë, të paktën me atë performancë që po tregon atje në Turqi. Siç thashë, po flasim pak herët, pasi ka ende kohë përpara dhe janë edhe disa ndeshje para. /KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL


Shtuar 20.03.2024 14:31