Ekonomisti dhe aktivisti politik austriak Gynter Felinger-Jan ka paraqitur një projekt për riorganizimin e Maqedonisë, duke sugjeruar që vendi të funksionojë si federatë sipas modelit austriak. Sipas planit të tij, shteti do të ndahej në tetë krahina, ku secila do të kishte parlamentin, qeverinë dhe guvernatorin e vet, transmeton portali Lideri.mk.
Të lidhura
None found
Këto njësi do të përfshinin Shkupin, Pollogun, rajonin Verilindor, Perëndimin, Vardarin, Lindjen, Jugperëndimin/Ohrit dhe Pellagoninë/Manastirin, thuhet në planin e publikuar prej tij në platformën X.
Krahinat do të administronin fusha si arsimi, kultura, infrastruktura, zhvillimi rajonal dhe ekonomia lokale. Në anën tjetër, qeveria federale do të ishte përgjegjëse për mbrojtjen, politikën e jashtme, politikat makroekonomike dhe përcaktimin e standardeve kombëtare.
Plani, për të cilin ka raportuar portali Ekspres, është autentik. Megjithatë, verifikimi i kryer nga Plusinfo sqaron se propozimi nuk përfaqëson një nismë të qeverisë së Austrisë, të Bashkimit Evropian apo të NATO-s, por është një iniciativë personale politike e Felinger-Jan.
Ekonomisti austriak synon që deri në vitin 2029 Maqedonia të anëtarësohet në BE, në zonën Shengen dhe në OECD, ndërsa euroja të miratohet si monedhë zyrtare.
Felinger nuk është figurë e panjohur në Maqedoni. Në shkurt të vitit 2021, gjatë qeverisjes së Zoran Zaevit, ai u emërua anëtar i Komitetit për Miratimin e Investimeve pranë Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik të shtetit.
Komiteti nuk kishte rol thjesht ceremonial, pasi ishte përgjegjës për përzgjedhjen përfundimtare të projekteve që kërkonin financim nga shteti.
Felinger vazhdoi të ishte pjesë e Komitetit edhe pas përfundimit të mandatit të Zaevit si kryeministër. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2024, kur u shkarkua për shkak të përfundimit të mandatit, me vendim të publikuar në “Gazetën Zyrtare”./Lideri
