Pas më shumë se tri orë e gjysmë diskutimesh në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të Kryesisë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se pret që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohet nesër nga të gjithë deputetët.
Të lidhura
None found
Ai e cilësoi këtë projektligj si të rëndësishëm për vendosjen e drejtësisë dhe u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta mbështesin atë, në mënyrë që të përmbyllen të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare.
Hamza theksoi se PDK-ja nuk është kundër drejtësisë, por kundër padrejtësisë. Sipas tij, gjatë këtij procesi janë evidentuar mungesë transparence, llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje, ndërsa vendimi i marrë është i padrejtë dhe prek historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Kreu i PDK-së tha se qytetarët e Kosovës që po përballen me këtë proces janë përballur me shkelje të të drejtave të njeriut, për çka, siç u shpreh ai, kanë dalë edhe konstatime nga organizata kredibile ndërkombëtare.
Ai shtoi se deri tani procesi është shoqëruar me vështirësi, probleme dhe padrejtësi, por institucionet duhet të vazhdojnë të besojnë në drejtësi. Hamza kërkoi që procedurat në Apel, brenda Dhomave të Specializuara, të bazohen në fakte dhe prova, e jo në thashetheme, të pavërteta apo krijime që nuk kanë ekzistuar.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje lidhur me presidentin, Hamza tha se kjo çështje duhet të ndahet nga Projektligji për Dhomat e Specializuara, pasi bëhet fjalë për dy procese të ndryshme.
Sipas tij, ligji është një nevojë që tejkalon përmasat e një subjekti politik apo të mandatit të një qeverie. Ai lidhet me të drejtat e individëve dhe qytetarëve, si dhe me vërtetimin e pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hamza deklaroi se lufta ishte e imponuar dhe se populli i Kosovës ishte organizuar për mbrojtjen e të drejtave, lirisë, pavarësisë dhe shtetit. Për këtë arsye, ai tha se ligji nuk duhet të shihet si çështje e një partie apo individësh, por si një përpjekje për mbrojtjen e së vërtetës historike.
Ai bëri të ditur se partitë politike mund të diskutojnë për krijimin e institucioneve të vendit, veçanërisht pasi po afrohen afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, Hamza theksoi se PDK-ja nuk pranon që Projektligji për Dhomat e Specializuara të trajtohet si pjesë e pazareve politike.
Seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet nesër në orën 9:00, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe Projektligji për Dhomat e Specializuara.
