E ardhmja e Julian Alvarez te Atletico Madridi është rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi sulmuesi argjentinas raportohet se ka mbërritur në qendrën stërvitore të klubit i shoqëruar nga agjenti i tij.
Të lidhura
None found
“Diario SPORT” bën të ditur se Alvarez vizitoi ambientet sportive të Atleticos së bashku me përfaqësuesin e tij kryesor, Fernando Hidalgo. Synimi i tyre është të bisedojnë drejtpërdrejt me drejtuesit dhe t’u komunikojnë qartë se futbollisti dëshiron të largohet gjatë kësaj vere.
Pak kohë më parë, argjentinasi ishte paraqitur në qendrën e klubit edhe në shoqërinë e Sergio Diaz, një tjetër përfaqësues i tij. Këto zhvillime vijnë ndërsa tensioni rreth së ardhmes së sulmuesit vazhdon të shtohet.
Situata u bë edhe më e ndërlikuar pasi Atletico Madridi hodhi poshtë ofertën prej 100 milionë eurosh të paraqitur nga Barcelona, duke rritur ndjeshëm presionin për largimin e Alvarez.
Klubi katalunas e kishte përfshirë sulmuesin mes objektivave kryesorë për përforcimin e repartit ofensiv. Megjithatë, shuma e ofruar nuk e bindi Atletico Madridin, që refuzoi t’i hapte rrugë transferimit të tij.
Kërkesa e Alvarez për të diskutuar pa ndërmjetës me drejtuesit e Atleticos mund t’i japë tashmë një drejtim tjetër situatës.
Futbollisti argjentinas duket i vendosur të gjejë një zgjidhje për të ardhmen e tij, ndërkohë që Barcelona vijon të ndjekë nga afër çdo zhvillim.
