Vendimi i Dean Huijsen për të luajtur për Spanjën, ndonëse kishte kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Holandës, hapi një debat të madh te “Tulipanët”. Por teksa Huijsen nuk u përfshi në listën e Spanjës për Kupën e Botës, Jean Paul Van Hecke po e shfrytëzon në maksimum hapësirën që i është dhënë.
Holanda tani po bëhet gati për përballjen e fazës së 1/16-tës kundër Marokut, ku Van Hecke dhe Van Dijk do të kenë një tjetër test të rëndësishëm. Para kësaj sfide, mbrojtësi holandez është shprehur: “Mendoj se skuadra është gati”.
Të lidhura
None found
Qendërmbrojtësi 26-vjeçar ka krijuar një partneritet shumë të fortë në zemër të repartit defensiv me Virgil van Dijk dhe deri më tani është shfaqur si një nga mbrojtësit më të dalluar të këtij turneu.
Gjatë kësaj vere, Van Hecke kaloi nga Brighton te Tottenhami, duke dhënë sinjale se klubi londinez kishte bërë një lëvizje të goditur. Te Brighton, ai u rrit nën drejtimin e Roberto De Zerbit dhe u shndërrua në një nga figurat kyçe të skuadrës.
Pas transferimit të tij, De Zerbi ishte shprehur: “Jam shumë i lumtur që punoj sërish me të. Është një mbrojtës i fortë dhe inteligjent, i guximshëm me topin në këmbë dhe me shumë personalitet. Këto janë cilësi shumë të rëndësishme për mënyrën se si dua të luajë ekipi im”.
Mbrojtësi më i mirë me topin në këmbë
Van Hecke nuk spikat vetëm për qëndrueshmërinë në prapavijë, por edhe për mënyrën si ndërton lojën nga pas. Ai luan me qetësi të madhe kur ka topin, depërton përmes presionit me pasime vertikale dhe shpesh avancon për të mbështetur fazën sulmuese.
Shifrat e sezonit të kaluar në Ligën Premier e mbështesin qartë këtë profil. Ai renditej i katërti mes qendërmbrojtësve për pasime progresive me 5.08 për ndeshje, i gjashti për pasime të gjata të sakta me 4.33 dhe ishte në vendin e parë për driblime që çajnë linjat kundërshtare.
Edhe Ronald Koeman e konsideron këtë element si një prej pikave më të forta të lojës së tij.
Trajneri i Holandës ka deklaruar: “Kur ke kaq shumë qendërmbrojtës cilësorë, ndonjëherë zgjedhja bëhet nga detajet. Sot posedimi i topit është shumë i rëndësishëm dhe Van Hecke është më i miri me topin në këmbë”.
Goli i parë me Holandën
Në suksesin 3-1 ndaj Tunizisë, Van Hecke dhuroi edhe një paraqitje tjetër shumë të mirë dhe e vulosi atë me golin e tij të parë me fanellën e Holandës. Ai realizoi pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Tijjani Reijnders.
Pas përfundimit të ndeshjes, mbrojtësi foli me entuziazëm për atë moment.
“Këto janë ndeshjet që dëshiron të luash. Pikërisht për këto momente ëndërron të marrësh pjesë në Kupën e Botës”, u shpreh ai.
Statistika mbresëlënëse
Në këtë Kupë të Botës, Van Hecke po paraqitet si një nga mbrojtësit më dominues të kompeticionit. Ai mban kryesimin për prekje topi me 145, për pasime të sakta me 130 nga 134, si dhe për pasime në të tretën sulmuese me 39. Përveç kësaj, ka regjistruar shtatë rikuperime dhe katër largime të topit.
Në Holandë vazhdojnë të ketë diskutime se si do të dukej mbrojtja e ekipit nëse Dean Huijsen do të kishte zgjedhur fanellën portokalli. Megjithatë, me nivelin që po tregon Jean Paul Van Hecke, kjo dilemë po humbet gjithnjë e më shumë peshë.
