Vedat Muriqi konsiderohet një prej rreziqeve kryesore për Republikën e Irlandës në përballjen me Kosovën, ndërsa vëmendje të veçantë analistët irlandezë i kanë kushtuar edhe Edon Zhegrovës dhe Fisnik Asllanit.
Të lidhura
None found
Futbollisti kosovar po paraqitet në formë të shkëlqyer me Fenerbahçen dhe pritet të ketë sërish përgjegjësinë kryesore për realizimin e golave të Kosovës.
Alan Cawley, analist i RTE, vlerëson se mbrojtësit irlandezë do të përballen me një detyrë tejet të vështirë për ta neutralizuar sulmuesin kosovar.
“Muriqi është një forcë e madhe fizike në repartin ofensiv dhe zotëron instinktin e golashënuesit. Ai e ka nisur shumë mirë sezonin me Fenerbahçen, ku ka realizuar gjashtë gola në gjashtë ndeshje”.
“Në atë ndeshje vumë re edhe një tjetër cilësi të tij, kontributin në zonën e mbrojtjes dhe numrin e madh të largimeve që kreu”.
“Pavarësisht nëse do të luajmë me tre apo katër mbrojtës, kushdo që të jetë në formacion do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë”.
Në të njëjtin podcast, ish-përfaqësuesi i Republikës së Irlandës, Stephen Kelly, ngriti alarmin edhe për dy lojtarë të tjerë të Kosovës.
Ai veçoi Edon Zhegrovën, yllin e Juventusit, si dhe Fisnik Asllanin, sulmuesin e Hoffenheimit që ka shënuar katër gola në 16 paraqitje me Kombëtaren.
“Kosova ka futbollistë shumë cilësorë në sulm, ndaj lojtarët tanë në mbrojtje duhet të jenë të përqendruar në nivelin maksimal”, deklaroi Kelly.
