Vendi i dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve është objektivi që Heimir Hallgrimsson i ka vendosur Irlandës për dy takimet përmbyllëse. Për ta arritur atë, skuadrës së tij i duhet të kalojë Kosovën, e cila mban aktualisht këtë pozitë, megjithëse të dyja përfaqësueset kanë grumbulluar nga pesë pikë.
Irlandezët do ta nisin këtë fazë të fundit me transfertën kundër Austrisë më 14 nëntor. Më pas, më 17 nëntor, do të presin Kosovën në Dublin, në një përballje që mund të përcaktojë renditjen përfundimtare. Austria udhëheq grupin me tetë pikë, kurse Izraeli zë vendin e fundit me dy pikë.
Të lidhura
None found
Sipas përzgjedhësit islandez, suksesi në të dyja ndeshjet do t’i mundësonte Irlandës ta përfundonte grupin në krye. Megjithatë, ai e konsideron një synim të rëndësishëm edhe sigurimin e pozitës së dytë.
Duke shpjeguar llogaritë e skuadrës së tij, Hallgrimsson tha se dy fitore do t’i çonin irlandezët në vendin e parë, ndërsa një triumf ndaj Kosovës në stadiumin “Aviva”, sipas të gjitha gjasave, do t’u siguronte vendin e dytë. Ai theksoi se kjo pozitë është objektivi i Irlandës për të qenë në vazon e dytë gjatë shortit për Evropian, që do të hidhet në muajin dhjetor në Belfast.
Qëndrimi i trajnerit nxjerr në pah peshën që irlandezët i japin takimit të fundit me Dardanët, të cilët ndodhen përpara tyre në klasifikim.
Nga ana tjetër, Kosova shkon drejt kësaj sfide me epërsinë psikologjike që i jep fitorja në takimin e parë në Prishtinë. Atë përballje, Dardanët e fituan 1-0 falë Vedat Muriqit, autor i golit vendimtar në minutën e 83-të.
Për këtë arsye, ndeshja e 17 nëntorit në Dublin pritet të luajë një rol të rëndësishëm në garën për vendin e dytë. Kosova do të kërkojë të ruajë pozicionin që zotëron, ndërsa Irlanda synon ta ndryshojë renditjen në takimin përmbyllës.








