Interi duket se është pranë një marrëveshjeje me Tottenham Hotspur për transferimin e përhershëm të mbrojtësit anglez Djed Spence, sipas raportimeve të mediave italiane.
Klubi zikaltër po kërkon një alternativë në krahun e djathtë pas largimit të Denzel Dumfriesit, klauzola e lirimit të të cilit u aktivizua nga Real Madridi më herët gjatë këtij afati kalimtar.
Të lidhura
None found
Fillimisht, Interi tentoi të gjente gjuhën e përbashkët me Atalantën për Marco Palestrën, por i riu italian përfundoi te Chelsea. Gjithashtu, Anan Khalaili ishte shumë pranë transferimit, përpara se të shfaqeshin probleme gjatë kontrolleve mjekësore.
Ndërkohë, në ditët e fundit është raportuar edhe për një rikthim të interesimit ndaj Moussa Diabyt, emri i të cilit është lidhur me Interin edhe në afate të mëparshme transferimesh.
Megjithatë, Spence tashmë është ngjitur sërish në krye të objektivave të klubit italian, ndërsa bisedimet me Tottenhamin duket se kanë shënuar përparim.
Gazzetta dello Sport dhe media të tjera italiane bëjnë me dije se dy klubet janë afruar drejt një marrëveshjeje për mbrojtësin e krahut. Nerazzurrët raportohet se presin ta finalizojnë transferimin për rreth 30 milionë euro, të shoqëruara me bonuse.
Gjatë kësaj vere ishte përmendur më herët se Interi kishte shfaqur interes për 26-vjeçarin anglez, por në atë kohë qarkullonin zëra se Tottenhami do të kërkonte 40-50 milionë euro për kartonin e tij.
Sipas raportimeve të së martës nga Gazzetta dello Sport, interesi i skuadrës së drejtuar nga Cristian Chivu nuk është shuar asnjëherë. Interi ka pritur që Tottenhami të reduktojë kërkesat financiare, ndërsa gjithashtu ka qenë në pritje të miratimit të Roberto De Zerbit për largimin.
