Kosova mund të përballet me mungesën e mesfushorit Elvis Rexhbeçaj në të katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Të lidhura
None found
Futbollisti nga Prizreni pësoi një dëmtim në këmbë të premten, ndërsa ende nuk dihet se sa serioz është problemi. Për këtë arsye, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera mjekësore.
Sipas raportimit të “Liga-zwei”, koha e rikuperimit të Rexhbeçajt mbetet e paqartë. Megjithatë, te klubi shpresojnë që gjendja e tij të përmirësohet.
Mesfushori u dëmtua pa pasur kontakt me ndonjë lojtar tjetër dhe ekziston mundësia që të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të gjatë. Testet e para nuk dhanë një rezultat të qartë, ndaj të hënën do t’i kryejë edhe disa kontrolle të tjera, të cilat do të monitorohen nga afër.
Mediumi gjerman raporton se, pavarësisht shpresës për përmirësim, nuk përjashtohet mungesa e tij në takimin ndaj Darmstadt.
Rexhbeçaj ishte në një formë shumë të mirë pas rikthimit te klubi ku është formuar, Wolfsburg, që garon në Bundesliga 2. Ai ka startuar si titullar në pesë ndeshjet e fundit.
Kosova do ta nisë rrugëtimin në Ligën e Kombeve në shtator, me ndeshjen e parë që do ta zhvillojë më 24 ndaj Irlandës.
