Futbolliste, instruktore fitnessi dhe crossfiti, njihuni me Bleonën, vajza e cila ka si shembull CR7

Jemi mësuar që të shohim gjithmonë djem që janë futbollistë, basketbollistë, instruktorë palestre etj.

Femrat nuk i shohim shumë në botën e futbollit, të paktën në Shqipëri. Zakonisht, ato janë të shpërndara në volejboll, basketboll ose në instruktore fitnesi për gjininë e tyre.

Por rasti në fjalë është komplet ndryshe nga se jemi mësuar ne, ose më saktë, të gjitha të lartëpërmendurat mund t’i vendosim te sportet e saj.

Bleona Koka është vajza 24-vjeçare e cila është një multi-sportiste e vërtetë, nga ato vajza që këtu të paktën nuk arrijmë t’i dëgjojmë shpesh. Bleona ka lindur dhe është rritur në Tiranë, por me origjinë nga Dibra. Sportin e ka nisur në moshën 19 vjeçare, pak vonë por më mirë se kurrë. Shoqëria që ajo ka pasur në gjimnaz ishin sportistë dhe të gjithë i flisnin për Universitetin e Sporteve. Bleona mbaroi gjimnazin dhe shkoi pikërisht atje, për të provuar fatin e saj dhe për të matur vullnetin dhe dëshirën. Sot, ajo është një instruktore fitnesi dhe crossfiti, por gjithashtu mesfushorja e krahut e ekipit të Partizanit për femra.

Në një intervistë me gazetarin e Abc News, Hergi Llupi, Bleona Koka ka rrëfyer dëshirën e madhe, pasionin dhe dashurinë që ka ajo për sportin.

 

Kur e ke kuptuar që je ndërtuar për t’u marrë vetëm me sport?

“Kur fillova të stërvitem rregullisht dhe nuk i lejoja vetes shumë ditë pushimi, atëherë kur “jo shumë vap, jo shumë  ftoht, jo përtoj” nuk ishin pjese e fjalorit tim, atëherë kur për relaksim preferoja  një stërvitje intensive.”

 

Cili është sporti për të cilin nuk mund të bëje dot pa të?

“Nuk e shoh jetën time pa një sport, pa aktivitet fizik, kjo është e rëndësishmja.

Por nëse duhej të zgjidhja një, do të thoja futbollin, edhe pse si sportiste e kam nisur vonë, dua të them që ka qenë pjesë e jetës time si tifoze e tij.”

 

Si lindi dëshira për t’u bërë një futbolliste?

“Dëshira ka qenë që e vogël por nuk kam pasur mundësinë të stërvitesha. Pengesë ka qenë edhe mentaliteti që një femër të bëj sport dhe sidomos futboll.

Pas shumë fjalësh të  nga shoqëria për të vazhduar në klubin ku ato vetë stërviteshin, vendosa të vazhdoj, një tjetër vendim shumë i bukur për mua.”

 

Instruktore palestre dhe futbolliste, ku e gjeni veten më shumë?

“Duke qenë se futbolli ka akoma shumë vështirësi, nuk ka vëmendjen e duhur e shumë gjëra të tjera , edhe une (si shumë të tjerë )  preferoj ta vazhdoj akoma. Zgjedh futbollin edhe pse vazhdimesia e tij nuk do jete e gjatë.”

 

Sa kohë keni që jeni pjesë e klubit të Partizanit dhe cili është roli juaj në fushë?

“Së pari dua të them që është një ëndërr e realizuar të jem pjesë e ktij klubi, duke qenë se jam një mbështetëse e “demave të kuq”. Pjesë e klubit Partizani  jam që prej krijimit të tij, 25 shtator 2020. Pozicioni im në fushë është mesfushore e djathtë.”

 

Idhulli juaj në futbollin shqiptar ose të huaj, cili është?

“Disiplinë, përkushtim maksimal ndaj stërvitjes dhe regjimit, do të thoja Cristiano Ronaldo, motivohem shume nga ai dhe përshtatem në aspektin që më pëlqen të ushtrohem shumë për të arritur atë që unë dua.”

 

Çfarë synimi keni për të ardhmen, cila është ëndrra juaj për të cilën po punoni fortë që ta realizoni?

“Jam në një mision ku dua te motivoj njerzit cdo dite.

Gëzohem shumë kur dikush më dërgon nje screenshot të distancës që ka berë sot me vrap, kur më dërgojnë video që kanë përparuar në një ushtrim në palestër, kur më thonë që “herës tjetër dua të ngjitem edhe une në një mal si ty” apo “dua të dal edhe unë me bicikletë”.

E dua shumë këtë gjë dhe dëshira është shumë e madhe që kjo të vazhdoj deri në fund.”

 

Eksperienca më e vështirë që keni përjetuar ( në lidhje me sportet që praktikon) dhe a keni dashur që të shkëputeshit?

“Çdo sport ka vështirësinë e vet, dashuria për të është e madhe dhe që ne momentin që kam vendosur të bëj sport, kam marr parasysh cdo vështirësi që mund të has gjatë rrugës.”

Keni ndonjë mesazh për të rinjtë shqiptarë rreth sportit?

“Të bësh aktivitet fizik nuk eshte asnjëherë një ide e keqe.

Të pëlqen futbolli, filloje!

Basketbolli? Provoje dhe kte.

Deshiron të bësh vrap, nisu!

Bëj çfardo që të kesh qef, vetëm bëje.

Nuk është e thënë të jesh më i miri i atij sporti, ama vlerat që ai të sjell janë të medha. Shëndet fizik dhe mendor shumë here më të mirë.

Nuk do jesh gjithmonë kaq energjik, bëj sot sport që të kesh disa rezerva edhe per të ardhmen.”/ Hergi Llupi, Abcnews.al