Masimiliano Alegri, është padyshim një nga figurat qendrore të projektit të Milanit të “RedBird”. Por marrëveshja mes palëve, siç zbulohet në mediat italiane, mund të marrë fund shumë më shpejt se sa mendohej, që në mbyllje të këtij edicioni të parë të rikthimit të tij te kuqezinjtë.
Milani është në ndjekje të një pozicionimi në zonën Champions, por së fundmi ka komplikuar shumë situatën e vet, duke u rrezikuar ndjeshëm që të kapërcehet nga skuadrat që e ndjekin.
Të lidhura
None found
Për kuqezinjtë, kualifikimi në Champions do të zyrtarizonte edhe rinovimin automatik të kontratës së Alegrit deri në vitin 2028, me opsion për një tjetër vit. Dhe këtu nisin problemet.
Alegri kërkon të ketë një vendimmarrje më të madhe në klub sa i përket merkatos, me emrat që dëshiron ai për mënyrën e lojës që ka në mendje në kthimin në Europë.
Përndryshe, do të kërkojë ndërprerjen e marrëveshjes mes palëve, pasi në sfond është një tjetër mundësi intriguese.
“Gazzetta Dello Sport” , shpjegon se largimi i tij i mundshëm ka të bëjë me Italinë që kërkon një trajner të aftë që të sigurojë rezultate dhe ta kthejë si protagoniste në skenat më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar.
Antonio Konte dhe Roberto Mançini, ishin emrat më të përfolur deri tani. Por në ditët e fundit emri i Masimiliano Alegrit, ka filluar të përmendet gjithnjë e më shumë, ndaj nuk është aspak çudi që në fund të jetë pikërisht ai që fiton këtë garë treshe.
