Rodrigo De Paul, mesfushori i kombëtares argjentinase, i ka quajtur të pabaza zërat që vënë në dyshim paraqitjen e kampionëve në Kupën e Botës 2026, duke nënvizuar se skuadra është tërësisht e kënaqur me ecurinë drejt gjysmëfinales.
Të lidhura
None found
“Albiceleste” do të ndeshet me Anglinë për një biletë në finalen e madhe, teksa De Paul nuk ua vuri veshin opinioneve që kanë sfiduar cilësinë e lojës së skuadrës së tij.
“Nuk e kam zakon të flas për atë që mendojnë të tjerët. Pikërisht kjo është magjia e futbollit, që gjeneron kaq shumë diskutime”, u shpreh ai.
Lojtari i Inter Miamit theksoi se Argjentina ka dëshmuar qëndrueshmëri në arenën më prestigjioze të futbollit dhe se shifrat janë ato që kanë rëndësi.
“Jemi tejet të kënaqur dhe të qetë me atë që kemi shfaqur në këtë Kupë Bote dhe me rrugëtimin tonë. Ka gjithmonë hapësirë për t’u përmirësuar, por në një turne me 48 skuadra jemi futur në katërshen më të mirë, pasi në edicionin e shkuar u kurorëzuam kampionë”, shtoi De Paul.
Synimi i Argjentinës mbetet të ruajë kurorën e fituar katër vjet më parë dhe për ta arritur këtë, fillimisht duhet të tejkalojë Anglinë në gjysmëfinale, një prej sfidave më të pritura të kompeticionit.
