Pas barazimit 1–1 ndaj Skënderbeut në Korçë, në kuadër të javës së 10-të të Abissnet Superiore, trajneri i Vllaznisë, Csaba Laszlo, deklaroi se duhet të zhvillojë një bisedë me skuadrën për paraqitjen në pjesën e parë.
Tekniku vuri në dukje se kjo ishte ndeshja e tretë radhazi ku ekipi nuk ka bërë një pjesë të parë pozitive. Sipas tij, lojtarëve duhet t’u rikujtohet zbatimi i planit taktik të përcaktuar para takimit.
Të lidhura
None found
Laszlo pranoi se këtë mesazh duhej t’ua kishte përcjellë futbollistëve edhe përpara sfidës me Skënderbeun, në mënyrë që skuadra të niste më mirë ndeshjen. Ai theksoi gjithashtu se Vllaznia nuk duhet t’u krijojë kundërshtarëve kaq shumë hapësira.
Trajneri shpjegoi se pas mbërritjes së tij në ekip ka ndryshuar edhe mënyrën e lojës. Ai tha se kur Vllaznia luan në shtëpi, gjërat përgatiten pothuajse në perfeksion, ndërsa në transfertë skuadra tregon më shumë respekt ndaj kundërshtarit.
Megjithatë, sipas Laszlos, vendi ku zhvillohet ndeshja nuk duhet të ndikojë në qasjen e ekipit. Për këtë arsye, ai nënvizoi se skuadra duhet të punojë më shumë për ta korrigjuar këtë problem.






