Conference League: Teuta shmang turpin, ja me kë do përballet në turin e 3-të (VIDEO)

Për të harruar humbjen e turpshme në “Niko Dovana”, Teuta duhet të bënte një paraqitje dinjitoze dhe të kualifikohej më tej dhe kështu ka ndodhur.

Djemtë e detit luajtën me karakter dhe falë edhe një formacioni tepër sulmues nga trajneri Martini ata arritën të përmbysin disfatën 2-0 duke kaluar më tej me një fitore 3-0 që gjithsesi erdhi pas kohës shtesë.

Në Andorra, përballë një ekipi të dobët si Inter d’Escaldes, durrsakët e nisin menjëherë në sulm duke rrezikuar disa herë portën teksa në 25’, Sebino Plaku arriti të shfrytëzonte më së miri një krosim nga e majta për të tundur rrjetën dhe për t’i dhënë avantazhin Teutës.

Ekipi i Martinit mundohet të bëjë mirë në vijim duke ndërtuar aksione sulmuese por vetëm në pjesën e dytë arrin të konkretizojë.

Zgjedhja e Plakut në formacion nga ana e trajnerit shkodran rezulton shumë e goditur pasi është sulmuesi veteran i cili me një goditje nga jashtë zone në minutën e 80’ bën të shpërthejë stoli i Teutës me golin e dytë personal.

Në sekondat e fundit, po Plaku ka një mundësi të artë për të shënuar golin e tretë por nuk arrin ta mposhtë portierin dhe kështu loja shkon në shtesa.

Në pjesën e parë të shtesës, Teuta merr një penallti të pastër dhe Kallaku nga pika e bardhë nuk gabon për t’i dhënë avantazhin dhe rrugën e kualifikimit Teutës.

Sfida përfundon 3-0 për Teutën e cila bëhet ekipi i parë shqiptar këtë sezon që arrin të kualifikohet në turin e tretë të Conference League dhe aty e pret një rival i forte si Shamrock Rovers.


Shtuar 27.07.2021 20:21