Capello “thumbues” ndaj Guardiolas, tregon ku gaboi trajneri spanjoll në finalen e Champions

Trajneri legjendar italian, Fabio Capello ka folur për taktikat e Pep Guardiolas në finale të Ligës së Kampionëve.

Capello ishte thumbues ndaj Guardiolas për të cilin tha se pjesën e parë të finales ja kishte dhuruar Tuchelit, i cili e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve me meritë.

“Ka gabuar formacionin në pjesën e parë, pjesa e dobët e Cityt janë lojtarët e qendrës, me Stones i cili nuk di si të mbrohet dhe Gundogan i cili para mbrojtjes nuk mundi të garantonte siguri”, tha ai.

“Me futjen në lojë të Fernandinhos, skuadra ishte më e ekuilibruar, por pasi i kishte dhuruar pjesën e parë kundërshtarëve nuk ishte i mjaftueshëm inkuadrimi i tij”, shtoi ai.

Capello pati lëvdata për Tuchelin.

“I ka dhënë hare dhe personalitet skuadrës së tij, duke vënë në pah karakteristikat teknike të lojtarëve që ka. Chelsea ka ditur të vuajë kur është dashur dhe ka ditur të shtyjë përpara për të dëmtuar Cityn. Një fitore e merituar nga ata”, tha Capello.

“Vitin e kaluar ai humbi finalen me PSG-në, skuadër që kishte lojtarë që mund të fitojnë Topin e Artë, ndërsa këtu ka formuar një skuadër të shpejtë me personalitet, besim dhe sistem të lojës”, shtoi ai.

“Falë tij lojtarët kanë luajtur mirë në mbrojtje dhe në marrjen e topit, sigurisht duke iu falënderuar edhe një kapiteni si Azpilicueta”, përfundoi Fabio Capello.


Shtuar 30.05.2021 09:40